Krasniqi: Fadil Vokrri, njeriu më meritor për anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe në FIFA

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, me rastin e gjashtë vjetorit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, ka thënë se meritat më të mëdha për këtë sukses historik që ia mundësoi Kosovës përfaqësimin dhe garimin në arenën ndërkombëtare i ka ish-presidenti historik i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri.

“Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme që një pjesë të rrugëtimit dhe lobimit për pranimin e FFK-së në UEFA e kemi bërë së bashku me Fadilin, mikun dhe bashkëpunëtorin tim të afërt për më shumë se tri vjet sa isha Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, u shpreh Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit në “Facebook ” :

Sot bëhen 6 vjet, nga 3 maji i vitit 2016, kur Kosova u bë anëtare e plotë e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, UEFA, duke shpërthyer kështu izolimin shumëvjeçar të futbollit kosovar.

Padyshim, meritat më të mëdha për këtë sukses historik që ia mundësoi Kosovës përfaqësimin dhe garimin në arenën ndërkombëtare në sportin më të popullarizuar në botë, i ka ish-presidenti historik i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri.

Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme që një pjesë të rrugëtimit dhe lobimit për pranimin e FFK-së në UEFA e kemi bërë së bashku me Fadilin, mikun dhe bashkëpunëtorin tim të afërt për më shumë se tri vjet sa isha Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sot, yjet e kombëtares së Kosovës po shëndritin nëpër ligat më të mëdha të futbollit në botë, duke ngritur lartë ngjyrat dhe vlerat e shtetit tonë. Urojmë që këtë vit, në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova të arrijë suksesin e kërkuar e të merituar për kualifikim në Euro 2024.

Të ngjashme