Krasniqi: Ilaçin për Coronavirusin e zbulojnë shkencëtarët, atë kundër përçarjes duhet ta gjejmë vetë

Prishtinë | 12 Gus 2020 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një letre drejtuar kryetarëve të partive u ka bërë thirrje atyre që të lënë anash egot e tyre dhe urrejtjet ndërpersonale dhe të bashkohen e të punojnë në të mirë të qytetarëve.

Krasniqi i cili është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se fillimi i pandemisë Kosovën e ka gjetur me një përçarje të madhe mes partive, e cila, sipas tij është ende duke vazhduar.

Ai është shprehur i bindur se “ilaçin” kundër pandemisë do dalë shpejtë, dhe atë punë do ta bëjnë shkencëtarët, por sipas tij “ilaçin” që do të na shëronte nga përçarja duhet ta  gjejmë vet.

Shkrimi i plotë i tij:

KËRKESË PUBLIKE  KRYETARËVE TË PARTIVE POLITIKE TË KOSOVËS

Kryetarë të nderuar,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë që ka përfshirë të gjitha segmentet e funksionimit politik dhe shoqëror të Kosovës dhe mungesën e zgjidhjeve konstruktive për të dalë nga kjo situatë me pak shpresa për zgjidhjeje.

– Pandemia me virusin COVID-19 na gjeti paraprakisht të infektuar me virusin e përçarjes së madhe ndërpartiake, i cili na ka verbuar deri në atë shkallë, saqë nuk mundëm të gjenim as minimumin e konsensusit për t’i bërë ballë rrezikut që i kanoset njerëzimit në përgjithësi. Fatkeqësisht edhe si pasojë e kësaj gjendjeje, ku njëri i bie thumbit e tjetri patkoi, çdo ditë më shumë jemi duke i ndier pasojat në humbjen e jetëve të njerëzve tanë.

– Është e kuptueshme se në rastet kur ekzistenca e njerëzve “vihet në rend të ditës”, njerëzit kanë orientuar shpresat gjetjen e një zgjidhjeje në nivel global, dhe rrjedhimisht shpresat i kanë mbështetur në ndihmën nga jashtë dhe gjetjen e një vaksine kundër këtij virusi. Besoj se nuk do të vonojë shumë dhe shkenca do ta gjejë “ilaçin” edhe për këtë të keqe që na ka gjetur. Mirëpo, “ilaçin” që do të na shëronte nga përçarja, apo së paku ta mbante në kufijtë e asaj që është e tolerueshme, duhet ta gjejmë ne vet, dhe jo të presim ndihma nga jashtë! Zgjdhjet e problemeve të brendshme, janë vetëm brenda nesh! Njëzet vitet e Lirisë e dymbëdhjetë vitet e  Pavarësisë e konfirmojnë ketë.

– Gjendja dramatike e shëndetësisë, e arsimit, e ekonomisë, e drejtësisë dhe e kulturës se debatit shtrojnë si domosdoshmëri përpara udhëheqësve të partive politike që të ulin urrejtjet ndërpersonale dhe të lënë mënjanë egot e tyre, por t’i përvishen punëve që u takojnë t’i bëjnë në interes të qytetarëve të këtij vendi.

– Mendoj se është koha që të ulen në një tryezë ku nuk do të shkojnë për t’i hëngër kokën njëri-tjetrit, por për të shtruar problemet jetike me të cilat ballafaqohet populli ynë në përgjithësi. Në të kundërtën, pasojat e tekeve individuale do t’i paguajmë të gjithë. Bile me çmim shumë më të lartë sesa e kishim edhe deri tani!

Me mirëkuptim e mirëbesim mund t’i zgjidhim më lehtë e më shpejtë problemet tona të brendshme, por edhe ato të jashtme!

Të shpresojmë në zgjedhjet e drejta e të qëndrueshme!

Të ngjashme