Krasniqi: Kauza jonë duhet të jetë mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve se shoqëria duhet të bëjë shumë më shumē për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Urime 1 Qershorin të gjithë fëmijëve anembanë. Urime kjo Ditë edhe prindërve, mësuesve, shërbyesve publik dhe të gjithë të rriturve të tjerë, mbi të cilët, sot dhe secilën ditë tjetër, bie përgjegjësia për edukimin, zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve tanë në një ambient më pozitiv. Prandaj, para se të jetë festë e fëmijëve, le të jetë thirrje për përgjegjësinë që ne si shoqëri kemi për ta”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se sot, nesër dhe çdo ditë tjetër, kauza jonë duhet të jetë mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve.

“E drejta për edukim, për shërbime shëndetësore, e drejta për lojë dhe rekreacion, për jetë familjare dhe sigurimi i një standardi të jetesës ku ata janë të mbrojtur nga abuzimi, le të jetë misioni ynë i përhershëm”, tha ai.

Të ngjashme