Krasniqi: Votimi që mbështet sportistët dhe artistët, një prej lajmeve më të mira të këtij viti

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Votimin i Ligjit që u ofron mbështetje të madhe sportistëve dhe artistëve kosovarë, Memli Krasniqi po e sheh si një prej lajmeve më të mira të këtij viti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, në një postim të faqen e tij në Facebook, ka falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që sot dhanë votën e tyre “pro” Ligjit për Tatim mbi të Ardhurat në Korporata, i cili mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizime dhe rrjedhimisht sportit dhe kulturës kosovare ia hap një etapë të re.

“Votimi i sotëm i Ligjit që e mundëson zbatimin e Ligjit për Sponsorizime, e që u ofron mbështetje më të madhe sportistëve dhe artistëve tanë, është një prej lajmeve më të mira të këtij viti. Urime vajzave dhe djemve tanë që po e ngrisin lart flamurin e Kosovës anembanë botës. Falemnderit të gjithë deputetëve që e dhanë votën e tyre për këtë Ligj”, ka shkruar Krasniqi.

Memli Krasniqi ishte më i zëshmi për votimin e këtij Ligji dhe kishte inicuar thirrjen e seancës së sotme të jashtëzakonshme, duke e ftuar opozitën që të mos politizonte me këtë çështje, por të gjithë bashkë ta tregonin me votë mbështetjen e tyre për sportistët dhe artistët.

Të ngjashme