“Kujdes me mashtrimet personale për marrjen e Luginës”

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Profesori i njohur universitar, Dali Emërllahu, i cili ka prejardhje nga Presheva thotë se me vëmendje dhe shqetësim po i përcjell deklaratat e pamatura dhe tejet amatoreske të politikanëve kosovarë, për marrjen e Luginës dhe bashkimin me Kosovën.

“Kujdes kur flisni për Luginën sepse veprimet e juaja janë vetëm për qëllime personale dhe asgjë më shumë”, shprehet Dali Emërllahu, në një prononckm për Rajonipress.

Emërllahu, tani në pension, ka qenë një kuadër që ka dhënë shumë për Universitetin e Prishtinës dhe ka mësuar gjenerata të shumta, duke përfshirë këtu edhe qindra student nga Lugina që kanë kryer studimet në Universitetin e Prishtinës.

“Porosia ime, meqë vij nga Presheva është që të keni kujdes kur flisni në emër të Luginës. Lugina i ka njerëzit e saj që din të kujdesen për trojet e veta. Për mendimin tim deklaratat se Lugina mund t`i bashkohet Kosovës janë të pamatura dhe tejet amatoreske në jetën politike. Andaj ju pushtetar të Kosovës, kujdes kur flisni për Luginën sepse veprimet e juaja janë vetëm për qëllime personale dhe asgjë më shumë”, u shpreh Emërllahu.

Profesori Emërllahu thotë se çështja e Kosovës Lindore është dhembje e madhe sikurse që është Çamëria, Maqedonia si dhe viset tjera shqiptare jashtë shtetit amë.

“Konsideroj se diskutimet për Kosovën Lindore e sidomos për marrjen e Luginës janë mashtrime për qëllime personale. Për këtë na porosit edhe akademiku bullgar këto ditë “se Serbia nuk ta fal as 1 metër”, por, siç thoshte i madhi Mark Krasniqi “interesimi i Serbisë për kisha është vetëm pretekst sepse asaj i intereson vetëm pasuria e Kosovës dhe dëshiron sa më shumë t`i afrohet Trepçës dhe Ujmanit” tha Emërllahu.

Të ngjashme