Kurti priti në takim ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë Scharping, shkëmbyen ide për avancimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Rudolf Scharping.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që takoi, siç tha ai, një mik dhe një aleat të moçëm të Kosovës dhe të popullit tonë.

Ai e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Scharping për kontributin e madh që ka dhënë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Rudolf Scharping ka qenë ministër i Mbrojtjes në vitet 1998-2002. Ai ka udhëhequr me forcat e armatosura të Gjermanisë gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe.

Scharping i cilësonte sulmet ajrore legjitime dhe ndërhyrje humanitare për të shpëtuar shqiptarët nga dëbimi i dhunshëm dhe spastrimi etnik i Kosovës që po e zbatonte regjimi i Serbisë.

Për masakrat e forcave serbe kundër popullatës shqiptare Scharping ka shkruar librin “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, dhe u shkëmbyen mendime e ide për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.​

Të ngjashme