Kurti reagon pas vendimit të Donika Gërvallës për shkarkimin e 12 ambasadorëve

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas shkarkimit të 12 ambasadorëve nga Presidentja Vjosa Osmani, me kërkesë të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës. Kurti ka thënë se ky është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe MPJ, raporton Express.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejt do të fillojnë me procedurat për dërgimin e diplomatëve në misione diplomatike, derisa ka shtuar se numrin më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.

Kurti ka falenderuar ambasadorët për kontributin e dhënë për vendin.

“Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në 12 shtete. Ata janë shkarkuar me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për siç ka thënë Gërvalla, lidhjen e tyre me politikën.

Disa nga ambasadorët e shkarkuar kanë lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës, disa me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e disa me Aleancën Kosova e Re.

Nait Hasani

Një prej diplomatëve që është shkarkuar është ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani. Ai është emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit 2019.

Hasani ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë një kohë edhe anëtar i Kryesisë së PDK’së.

Lirim Grajçevci

Osmani ka shkarkuar nga misioni diplomatik edhe Lirim Grajçevcin, ambasador i Kosovës në Hagë.

Këtë detyrë Grajqevci e ka marrë gjatë gushtit të vitit 2018. Më parë ai ka qenë ambasador në Britaninë e Madhe.

Para se të niste punën nëpër misione të rëndësishme diplomatike, Grajqevci ka qenë i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë edhe këshilltar dhe përkthyes i Hashim Thaçit, sa ishte kryeministër.

Avni Kastrati

Tjetër diplomat që është shkarkuar shkaku i lidhjeve me politikën është edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

Ai ishte emëruar Ambasador me dekret të ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Kastrati ka qenë Kryetar i Komunës së Mitrovicës, kryetar i Degës së PDK’së në Mitrovicë dhe anëtar i këshillit drejtues të kësaj partie.

Hajdin Abazi

Lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës ka edhe Hajdin Abazi, i cili u shkarkua nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Australi. Ai ka qenë deputet nga radhët e kësaj partie.

Në dekretin e nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, thuhej se Abazi emërohet Ambasador/Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Komonuelthin e Australisë, me seli në Canbera. Dekreti mban datën e 7 nëntorit të vitit 2018.

Gëzim Kasapolli

Mbrëmë është shkarkuar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

Para se ta merrte këtë pozitë, Kasapolli ka qenë këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit. Ai ka qenë edhe ish-zëdhënës i Partisë Socialdemokrate që në atë kohë drejtohej nga Agim Çeku dhe ish-zv.ministër i Integrimeve.

Përveç ambasadorëve të shkarkuar që kanë lidhje me PDK’në, Presidentja Vjosa Osmani, ka shkarkuar edhe ambasadorët që njihen për afërsinë e tyre me partinë e Ramush Haradinajt.

Avni Arifaj

Ish-këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt dhe ish-shefi i ekipit negociator në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifaj, është një prej diplomatëve që është shkarkuar mbrëmë. Pozitën e ambasadorit ai e ka ushtruar që nga viti 2019.

Arifaj e kishte ushtruar edhe pozitën e shefit të stafit politik të ish-kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Arbër Vllahiu

Përveç Arifajt, Presidentja Vjosa Osmani ka shkarkuar edhe ish-këshilltarin tjetër të Ramush Haradinajt, Arbër Vllahiun. Vllahiu ka qenë i ngarkuar me punë të Kosovës në Pragë që nga viti 2018.

Para se të merrte këtë pozitë, ai ka qenë këshilltar politik i Haradinajt, derisa më herët ka qenë edhe shef i stafit të ish-presidentes, Atifete Jahjaga.

Shpend Kallaba

Edhe ambasadori i Kosovës në Budapest, Shpend Kallaba, është në listën e atyre që Presidentja Vjosa Osmani e ka larguar shërbimi diplomatik. Kallaba është shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Hungari.

Kallaba ishte këshilltar i Behgjet Pacollit, para se të bëhej ambasador në Sofje të Bullgarisë në vitin 2012.

Ai është vjehrri i Bubulina Krasniqit, motrës së deputetit të PDK-së, Memli Krasniqit, e cila ishte angazhuar në ambasadën e Kosovës në Budapest, bashkë me vjehrrin.

Amir Ahmeti

Lidhje me kreun e AKR’së ka edhe ambasadori tjetër i shkarkuar, Amir Ahmeti.

Ahmeti i cili ushtronte pozitën shef i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Katar, më herët ka qenë këshilltar politik i Pacollit. Ai ishte emëruar në këtë pozitë në shkurt të vitit 2019.

Beqë Cufaj

Në mesin e të shkarkuarve është edhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Ai është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, më 1 qershor të vitit 2018. Emërimi i tij ishte bërë me propozim të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjergj Dedaj

Shkarkimit nuk i ka shpëtuar as Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj. Ai ishte emëruar si ambasador në gusht të vitit 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Para kësaj pozite, ai ka qenë zëvendës i Behgjet Pacollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ylber Hysa

Listën e përmbyll Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Malin e Zi. Ai u dekretua nga ish-Presidenti Thaçi, me propozim të ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli, në krye të misionit një vit më parë. Hysa nga viti 2012 ka qenë ambasador i Kosovës në Shkup.

Gjatë periudhës 2003-2007, ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia ORA.

Në vitin 2007, ai ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Të ngjashme