Kurti viziton Memorialin në Makoc, përkujton masakrën e 21 prillit

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e 21 prillit 1999 në fshatin Makoc.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se forcat policore e ushtarake serbe e jugosllave në fshatrat e Gollakut vetëm në periudhën 19-23 prill 1999 vranë barbarisht 115 civilë të pafajshëm.

“Mosha e të masakruarve ishte prej 7 vjeç (Fortesë Rusinovci) e deri 98 vjeç (Hamide Zuka). Masakra më e tmerrshme dhe më masive e këtyre ditëve kishte ndodhur më 21 prill 1999 në fshatin Makoc, rreth 7 km në veri të Prishtinës, prandaj prej 115 të masakruarve nëpër fshatrat e Gollakut, 93 u rivarrosën pas luftës në fshatin Makoc, në tokën që e dha falas Mihrije Krasniqi. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ende askush prej urdhërdhënësve dhe prej ekzektuesve të këtyre krimeve as nuk është gjykuar e as nuk është dënuar. Këtu po i shfaqim edhe dy fotografi të Ridvan Slivovës nga ajo kohë e ky vend”, ka shkruar Kurti.

Ai po ashtu bëri të ditur se me këshilltarin e tij politik, Shkëlzen Gashi, sot ka bërë nderime dhe kanë vendosur lule të freskëta te Memoriali në Makoc.

Të ngjashme