Kuvendi ratifikon marrëveshjen e IPA-s prej 70.5 milionë euro

Prishtinë | 04 Tet 2017 | 11:10 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi ka ratifikuar Projektligjit e Marrëveshjes financiare për Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) 2016 midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në vlerë prej 70.5 milionë euro.

93 deputetë votuan për, 7 kundër dhe 1 abstenoi, raporton Ekonomia Online.

Të gjitha grupet parlamentare ishin pro ratifikimit të marrëveshjes së IPA-së 2016 mirëpo kanë bërë thirrje që qeveria të ketë kujdes gjatë shpenzimit të  këtyre fondeve.

Projektligjin për ratifikim të marrëveshjes IPA-2016 e ka paraqitur në seancë ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha.

Me këtë rast ajo tha se kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2016, pjesa e parë, i cili përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare, si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.

Ndërsa dje qeveria është njoftuar edhe me fillimin e zbatimit të projekteve të financuara nga fondet e IPA-së.

Shuma e alokuar për Kosovën në programin e IPA II për vitet 2014-2020 është 645,5 milionë, të cilat do të shpërndahen në sektorët: Demokracia dhe qeverisja; Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore; Energjia; Konkurrueshmëria dhe inovacioni; Arsimi, shëndetësia dhe politikat sociale; Bujqësia dhe zhvillimi rural Mjedisi dhe Bashkëpunimi regjional.

Aktualisht janë duke u zbatuar 246 projekte të financuara nga IPA, në vlerën totale prej 173, 867,805 euro, derisa janë planifikuar edhe 53 projekte në vlerën 145,356 euro.

Deputetët kritikojnë kryeministrin për mos prezencë në ratifikimin e IPA-së

Deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu ka thënë se do të duhej që të ishte në seancë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për ratifikimin e marrëveshjes së IPA-së.

Sejdiu ka kritikuar Haradinaj për jo seriozitet. Ndërsa në mbrojtje Haradinaj i ka dal deputeti i AAK-së, Ahmeti Isufi.

Ai ka thënë se “kryeministri nuk mundet të jetë këtu për çdo marrëveshje, prandaj kapriqet duhet t’i ndalni dhe të veproni si opozitë e arsyeshme”.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Haradinaj që nuk është prezent në seancë.

“S’ka asgjë më të rëndësishme sesa të jetë kryeministri në Kuvend për ta ratifikuar një marrëveshje prej 70 milionë eurove”, ka thënë Hoti.

Ndërsa kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti ka thënë se vërejtjet janë me arsye, por ka thënë se kanë njoftim zyrtar se kryeministri është në një takim me zyrtar të BE-së.

 

Të ngjashme