Lajçak: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi sot se është koha që procesi i dialogut Prishtinë-Beograd të përfundojë me sukses.

“Sot janë saktësisht 10 vjet që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mirëpriti gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Është koha që ai të përfundojë me sukses,” shkroi Lajçak në Twitter.

Një raund tjetër bisedimesh midis kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq u mbajt të hënën në Bruksel, si pjesë e një dialogu nën kujdesin e BE-së.

Pas negociatave, Lajçak tha se “përparim i plotë” ishte bërë në tema të hapura më parë, bashkëpunimin ekonomik dhe personat e zhdukur dhe të zhvendosur.

Një takim i nivelit të ekspertëve do të mbahet javën e ardhshme dhe Hoti e Vuçiq do të takohen përsëri para fundit të shtatorit.

Të ngjashme