LDK-ja akuzon VV-në për nepotizëm: Konkursi në KEK është aferë “super pronto”

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 13:16 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për nepotizëm. Nga kjo parti thonë se partia në pushtet ka filluar me kapjen e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi, tha se këso punësime VV-ja ka bërë në veçanti në KEK, PTK dhe ujësjellës.

Raportimet se në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës u pranuan militantë të VV-së, Halimi tha se kjo është një aferë super “pronto” e kësaj partie.

“Lëvizja Vetëvendosje emëroi militantët e saj partiakë, pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional, në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend, me theks të veçantë në KEK, PTK e Ujësjellës. Një pjesë e këtyre emërimeve janë anëtarë të familjeve të ngushta, zyrtarë të pushtetit e militantë partiakë. Lëvizja Vetëvendosje implementoi edhe kapjen e institucioneve të pavarura në Kosovë, në rregullatorë, inspektorate e trupa të tjerë mbikëqyrës – praktikë kjo tejet e rrezikshme për vendin”.

“LDK-ja është duke e përcjellë me vëmendje dukurinë e shtirjes së nepotizmit nga partia në pushtet dhe jemi duke e ngritur zërin lidhur me kapjen e institucioneve, në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend RTK, KEK e Ujësjellës, një pjesë e tyre janë familjarë të ngushtë, militantë partiakë”, tha ajo.

Halimi tha se kjo është gjendja e krijuar nga partia në pushtet karshi kapjes së institucioneve e se kërkojnë masa urgjente që kjo praktikë të ndalet. Ajo ka kërkuar suspendimin e këtij konkursi dhe shkarkimin e zyrtarëve të përfshirë komisionin vlerësues.

“Që në ditët e para të qeverisjes, institucionet e Kosovës janë vërshuar me punësime të paligjshme, rehatim të familjarëve e të afërmve të tyre”.

“Kapjen dhe nepotizmin e shndërruan në kauzë. Qytetarët nuk po e paguajnë vetëm çmimin e paaftësisë”.

“Rasti i fundit eklatant është konkursi në KEK, ku konkurruan 4668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, të gjithë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të VV-së. Kjo është afera super pronto e Vetëvendosjes”, theksoi Halimi.

“Pra 4500 personave iu mohua e drejta. Kërkojmë që ky trend të ndërpritet në mënyrë urgjente, sepse përbën shkelje flagrantë te të drejtave të njeriut, sidomos kur merret parasysh konteksti shoqëror dhe numri i lartë i të papunëve”, tha Halimi.

 “LDK-ja gjatë gjithë kohës ka qenë aktive për vlerësimin e situatës për gjendjen që është partia në pushtet e sidomos për institucionet e pavarura. Ne gjatë gjithë kohës i bëjmë thirrje institucioneve relevante qe të merren me raste si kjo. LDK nuk është gjykatë… por t’i vëmë në pah e t’i bëjmë publike. LDK kërkon shkarkimin dhe suspendimin e të gjithë zyrtarëve në KEK përfshirë edhe komisionin vlerësueses”, tha ajo.

Më tutje, Halimi tha se LDK -ja kërkon që ky konkurs të anulohet, teksa ka ftuar prokurorinë që të fillojë hetimet.

“LDK-ja kërkon që konkurs të anulohet menjëherë dhe të vendoset drejtësi për 4.668, shkarkim dhe suspendim të gjithë zyrtarëve në KEK përfshirë edhe komisionin vlerësues që janë përfshirë në mënyrë direkte të këtyre shkeljeve dhe ftojmë prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të gjithë procesit dhe të marr masa ndaj keqpërdoruesve”, deklaroi ajo.

Të ngjashme