LDK-ja kërkon shpërndarjen e Kuvendit, pasi të votohet ushtria

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeverisja e tanishme ka zhgënjyer Brukselin dhe qytetarët e Kosovës.

Hoti ka kërkuar miratimin e tri rezolutave të cilat lidhen me dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj.

“Në fund të këtij debati ne ftojmë deputetët të miratojnë një rezolutë që ka tre pika: Që forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Pas këtij dakordimi qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe kuvendi të shpërbëhet për t’i dhënë rrugë formimit të institucioneve të reja dhe e treta që forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendi, posaqërisht, votimi i pakos së ushtrisë”, tha ai.

Hoti fajësoi qeverinë për mosliberalizim të vizave gjatë këtij viti si dhe për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

“Fajin për mosliberalizim të vizave e ka viti i mbrapsht i kësaj qeverisje. Po mundohen që dështimet ti mbroni me një garë për patriotizëm. Të gjitha zhvillimet po shkojnë në drejtim të projektit të Serbisë. Nuk po na njohin shtetet e reja, ato që na kanë njohur kanë filluar të heqin njohjet, në vend se të korrigjoni dështimet e juaja, ju po doni korigjoni kufijtë e Kosovës. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Ne presim që PAN të marr përgjegjësi për këto dështime dhe të hap rrugë për formimin e institucioneve të reja”, tha ai.

Të ngjashme