LDK në Kuvend i kërkon Kurtit ta heqë taksën plotësisht

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 16:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që ta heqë plotësisht taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, raporton Ekonomia Online.

Gashi ka thënë se për të marrë një vendim të tillë, Kurti do të ketë mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë. Edhe AAK që është kundër, do të në bashkohet në unifikimin e qëndrimit përballë Serbisë. Kërkojmë sa më parë që kryeministri Kurti ta heqë tarifën e plotë sa më parë. Ka mbështetjen e plotë të LDK’së”, ka thënë Gashi.

Deputeti i LDK’së i ka thënë Kurtit se askush nuk do ta konsiderojë si frikacak për nënshtrim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shumica janë për heqjen  taksës. Z.Kurti, heqja e plotë e tarifës nuk është në kundërshtim me popullin. Njerëzit do të na gjykojnë një ditë nëse ftohim raportet me Amerikën”, ka thënë ndër të tjera Gashi.

Ai ka bërë thirrje edhe për lënie anash të inateve dhe për unitet të plotë politik në vend.

“Kërkojmë nga kryeministri Kurti që ta heq taksën. Prej jush presim veprime dhe askush nuk do ju gjykoj për këtë gjë. Askush nuk i lavdëruar këto ma përkundër ka kërkuar t’i heqim këto masa. Tarifa pati pasoja negative në Bashkësinë Ndërkombëtare. Kush ka të drejtë këtë mes. Ne, Serbia apo ndërmjetësuesit”, tha Gashi

Fjala e plotë e Gashit:

E nderuara Kryetaree Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë.

Ngjashëm me debatin e mëparshëm, unë mendoj se duhet të fokusohet në problemin kryesor që e kemi si shoqëri kosovare: mungesën e një koncenzusi nacional para një zgjidhje përfundimtare me Serbinë.

Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë ka dakordim pothuajse të unifikuar tashmë në mes të një shumice dërrmuese të deputetëve, pra përfaqësuesve të popullit. Edhe AAK, që është kundër heqjes së tarifës në parim, besoj se do të bashkëngjitet në procesin e unifikimit të qëndrimit Kosovar, përballë atij serb, në negociatat e udhëhequra nga SHBA.

Kemi folur për këtë tarifë gjerë e gjatë, për dhe kundër, me argumente e shifra, kush sa kemi mundur, por neve na kërkohet të veprojmë, jo të analizojmë e prolongojmë procesin.

Prandaj, kërkoj nga kryeministri Kurti, duke i ofruar gjithë mbështetjen e LDK-së, të heqë sa më shpejt plotësisht tarifën. Z. Kryeministër, prej teje, prej nesh këtu, priten vendime. Akuzat e pabaza, që u nënshtruam para presionit amerikan, nuk duhet të na ngarkojnë neve si ekzekutiv. Ju bëj thirrje Z. Kryeministër, që të reflektoni dhe mos të veproni në kundërshtim me kërkesat e popullit, partnerit në qeveri, pjesës më të madhe të opozitës dhe aleatëve. Shumica janë pro heqjes. Kundërshtaret janë në pakicë.

Z. Kurti, heqja e plotë e tarifës nuk është në kundërshtim me vullnetin e popullit, përkundrazi.

Një ditë, populli do të na gjykoj nëse ne si qeveri ftohëm relacionet me amerikanët, shkaktuam çarjen e parë publike, dëmtuam një marrëdhënie speciale, siç e quajtët edhe ju, me SHBA, duke insistuar për tarifën që është konsideruar si një veprim i papëlqyer nga aleatët perëndimor. Asnjë nga aleatët tonë perëndimor amerikan apo evropian nuk kanë miratuar këto masa, krejt e kundërta, kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre. Sado që ish-kryeministri Haradinaj është përpjekur të glorifikojë këtë gjest heroik të kundërvënies ndaj Serbisë, tarifa pati pasoja negative për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Sepse ajo çfarë na u duk neve trimëri, sepse arritëm të bëjmë diçka të lëndojmë Serbinë e të rikthejmë dinjitetin, evropianëve e amerikanëve ju duk gjest i pamatur dhe dëmtues për procesin negociator.

Kush ka të drejtë në këtë mes: Serbia, ne, apo ndërmjetësuesit ndërkombëtarë?

Secila palë ka të vërtetën e vet, por fatkeqësisht, dhe ndoshta për herë të parë në historinë e 30 viteve të fundit, versioni ynë mbi të vërtetën dhe të drejtën tonë nuk është më në unison me atë të ndërmjetësuesve.

Gabimi më i madh që ne mund të bëjmë si shtet i sapoformuar, ende jofunksional në tërësinë territoriale, i kontestuar rajonalisht e ndërkombëtarisht, është të sillemi sikur jemi një aktor i kritik në Ballkan, që mund të imponojë versionin e vet të së vërtetës.

Serbia është fuqizuar ekonomikisht, ka krijuar tjera relacione me bashkësinë ndërkombëtare dhe pozicioni i saj negociator nuk është më ai i Serbisë 1999. Përmes fuqizimit ekonomik, politik dhe ushtarak, Serbia ka rivendosur rolin e saj ne rajon. Serbia ka përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Kosova e ka dëmtuar. Dhe fajtor për ketë është klasa jonë politike. Ne jemi me dobët sot, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të heqim dorë nga qëllimet tona, as të lëshojmë pe në interesat tona nacionale e strategjike.

Gjithashtu, duhet të kemi parasysh poashtu se SHBA-të sot nuk janë SHBA-të e vitit 1999. Në aspekt gjeostrategjik, ne vazhdojmë të konsiderohemi aleat për vlerat evropiane dhe interesat veri-atlantike. Por, në realizimin praktik të këtyre synimeve, ne të gjithë jemi dëshmitarë që presidenti Trump ka sjellë një energji të re, jo vetëm në mënyrën e bërjes politikë në Uashington, por gjithandej nëpër botë. Dhe ky president i Amerikës, aleati ynë kryesor politik dhe ushtarak, po na kërkon ta heqim tarifën ngase po konsideron se ky mjet politik po pengon ndërmjetësimin e tij në përmbylljen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

Tarifa ishte një mjet, jo një qëllim. Një mjet i përdorur keq, një mjet që dëmtoi Kosovën. Mbajtja, por edhe vonesat në heqjen e saj, vetëm kontribuojnë në këtë dëm. Duke hequr taksën, si një mjet taktik i shpenzuar tashmë, ne nuk heqim dorë nga qëllimet tona strategjike.

Do të ketë kohë për të treguar qëndrueshmërinë dhe trimërinë tonë në procesin negociator.

Por fillimisht, neve na duhet unitet nacional. Skena politike është kjo që është. Kemi qeverinë e zgjedhur legalisht dhe me legjitimitet të plotë politik, kemi presidentin që po i përfundon mandati – me legjitimitet të brendshëm të lënduar, me autoritet politik e publik të debatueshëm – por mandat legal, dhe kemi një opozitë çfarë është.

LDK kërkon që taksa të hiqet shpejtë, por njëkohësisht që ne të kemi unitet të përgjithshëm në sfidën reale të radhës. Tani nuk është koha për beteja të brendshme politike, duke përdorur si llogore zyrat publike. Presidenti dhe kryeministri duhet të takohen, siç duhet të takohet edhe qeveria me opozitën, në një format të dakorduar, për një plan nacional.

E vërteta është që ne jemi të papërgatitur për procesin final negociator. Në mungesë të transparencës totale, ne nuk kemi pasë asnjëherë një informacion nëse ky proces negociator i ndërmjetësuar nga SHBA ka filluar formalisht, apo është në përgatitje të fillojë, apo përkundrazi, jo vetëm që ka filluar, por tashmë ka një draft marrëveshje.

Nëse i gjithë spektri politik nuk është pjesëmarrës në zgjidhjen përfundimtare, ajo nuk do të jetë përfundimtare. Do të kontestohet brenda, do të vazhdojë të gjenerojë tension politik të brendshëm, por edhe rajonal.

Ne duhet të ndërtojmë sa më parë konsensusin mes forcave kryesore politike dhe të ndërpremë këto betejat me letra e me konferenca shtypi që vetëm sa e bëjnë më absurde këtë shfaqje tonën politike.

Roli i SHBA-ve është kyç. Pa SHBA-të, nuk ka zgjidhje të problemit të Kosovës. Këtë ne e kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë.

Ne nuk duam një proces negociator të udhëhequr nga BE, pa pjesëmarrjen e Amerikës në të. Ne duam dhe i besojmë një procesi gjithëpërfshirës negociator. SHBA-të kanë çliruar Kosovën, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën të fitojë dhe ndërtojë pavarësinë e saj, dhe tashmë SHBA-të duhet të jenë të përfshira në zgjidhjen përfundimtare. Dhe që kjo zgjidhje të arrihet, SHBA duhet të jetë bartëse kryesore.

Gjithashtu, prania e BE-së në proces është jashtëzakonisht e rëndësishme, duke qenë se negociatat duhet të prodhojnë një zgjidhje evropiane. Edhe Kosova e edhe Serbia kanë synim BE-në, prandaj një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë kompatibile me korpusin e vlerave evropiane, por edhe strukturën institucionale dhe politike të BE-së ku ne pretendojmë të aderojmë nesër.

Për fund, ne, si qeveri e Republikës së Kosovës, duhet të heqim tarifën për t’i dhënë shans dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA-të, por edhe për ta hequr këtë presion të padobishëm, i cili vetëm e pengon qeverinë në qeverisje të mirë. Populli ka nevojë për zgjidhje si në rrafshin e politikës ndërkombëtare, ashtu edhe në atë lokale.

Prandaj z. Kurti, hiqe tarifën, ne si LDK do të jemi në mbështetje të plotë të vendimit për heqjen e plotë dhe pakushte të taksës, deri në një vendim të radhës, që do të merret në bashkërendim me aleatët.

Të ngjashme