Marrëveshje pa fund mes Kosovës dhe Shqipërisë

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Mbi 70-të marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të ju shtohen edhe 15 të tjera të cilat pritet të nënshkruhen të premten (më 2 tetor), në mbledhjen mes dy qeverive që do të mbahet në Tiranë.

Në fushën e transportit hekurudhor pritet të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.

Ky memorandum ka të bëjë më pikën e marrëveshjes të nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.

Në takimin mes dy qeverive, po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë do të nënshkruajnë një marrëveshje për ngritjen e grupit të punës për krijimin e Fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.

Ndërmjet, këshillit të ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë të Kosovës do të nënshkruhet edhe një marrëveshje për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave .

Marrëveshje, memorandume dhe dokumente bashkëpunimi pritet të nënshkruhen edhe në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë e të tjera. Këto draft-marrëveshje Qeveria e Kosovës tashmë veç i ka miratuar në parim.

Mbledhja e gjashtë e dy qeverive, kërkohet mbikëqyrja e marrëveshjeve

Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë është e gjashta me radhë që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.

Që nga ajo kohë, të dy qeveritë mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.

Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Por, shumë herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.

Në Kosovë institucionet nuk ka ndonjë të dhënë të publikuar se sa këto marrëveshje janë zbatuar në praktikë.

Në mbledhjen e qeverive që pritet të mbahet të premten pritet të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.

Studimet: Marrëveshjet nuk gjetën zbatimin e duhur

Numri më i madh i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë synojnë lehtësimin e bashkëpunimit tregtar.

Sipas një studimi që ka bërë Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP dhe Riinvest, thuhet se ndonëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, ende shfaqen barriera tregtare.

Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë, sipas këtij studimi kanë të bëjnë me pengesa që lidhen me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.

Karakteristikë, sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë, është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe të njëjtat në mënyrë sistematike përsëriten.

Porti i Durrësit, i finalizuar

Një nga e marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas studimit të Institutit GAP dhe Riinvest, është funksionimi i Portit të Durrësit.

Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës pati hapur pikën doganore në Portin e Durrësit.

Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset kosovare, duke marrë parasysh se Porti i Durrësit është porti që ofron mundësi për qarkullimin më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave për dhe nga Kosova.

Studimi i Institutit GAP rekomandon ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqje të barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme