Mblidhet kryesia e LDK-së, Abdixhiku: Do të diskutohet rezultati dhe do të kërkohet përgjegjësi

Prishtinë | 15 Shk 2021 | 12:59 | Nga Kastriot Kokollari

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot pas humbjes së thellë që pësoi në zgjedhjet e djeshme parlamentare, raporton Ekonomia Online.

Lumir Abdixhiku shumë shkurt ka thënë se në mbledhje te kryesisë do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve dhe do të kërkohet përgjegjësi për rezultatin e arrirë.

E, Ismet Beqiri nuk ka komentuar vetëm ka thënë se pritet të diskutohet në mbledhje gjithçka.

Mbledhja pritet të mbahet nga ora 14:00.

Deri më tani aty është parë që ka ardhur kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, Gazmend Muahxhiri, Kujtim Gashi etj.

Partia e Isa Mustafës ka shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhje. LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.

Kur janë numëruar 99.23% të votave, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.

Ndërkaq LVV vazhdon të prijë. Aktualisht, LVV numëron 376 mijë e 933 vota, apo 47,88%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga PDK-ja në vend të dytë, e cila aktualisht ka marrë 136 mijë e 681 vota apo 17,36%. 

Të ngjashme