Mbretëria e Bashkuar falënderon Qeverinë e Kosovës për strehimin e afganëve

Prishtinë | 16 Sht 2021 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Mbretëria e Bashkuar ka falënderuar Kosovën për strehimin e 117 afganëve, të cilët kanë udhëtuar sot në Britani, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

Ndihmën e Kosovës, ata e kanë cilësuar si jetike, teksa përmes një postimi, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se 117 anëtarët e stafit të NATO-s që ishin strehuar përkohësisht në Kosovë, kanë arritur të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar.

“117 anëtarë të stafit të NATO-s kanë arritur sot të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova. Mbretëria e Bashkuar është mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për ndihmën jetike duke i pritur ata përkohësisht”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje, ata thonë se do të bvazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e afganëve të tjerë, të cilët kanë të drejtë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ne do të vazhdojnë të kërkojmë tërheqje të sigurt të afganëve të tjerë që kanë të drejtën të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, e të cilët janë ende në rrezik”, thuhet në postim.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Të ngjashme