Më në fund merren vesh VV-LDK, pushtetin do ta ndajnë 50-50

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dakorduar që të nënshkruajnë marrëveshjen për të bashkëqeverisur.

Sipas burimeve të Klan Kosovës, kryetari i Vetëvendosjes dhe njëherit kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa janë marrë vesh që në parim ta bëjnë qeverinë e ardhshme të Kosovës me formulën e ndarjes së pushtetit gjysmë për gjysmë (50 me 50).

Sipas kësaj formule, në qeverinë e ardhshme me Albin Kurtin kryeministër që do t’i ketë 12 ministri, pesë ministri do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesë ministri do t’i takojnë LDK-së, ndërkohë që dy ministri do të jenë të rezervuara për minoritetet – Ministria për Komunitete dhe Kthim si dhe Ministria e Kulturës.

Ministria për Komunitete dhe Kthim pritet t’i takojë komunitetit serb, derisa Ministria e Kulturës me shumë gjasë do të qeveriset nag komuniteti boshnjak, njofton Klan Kosova.

Takimi mes të dy liderëve Albin Kurti dhe Isa Mustafa, që ka nisur në orën 16:00, është duke vazhduar akoma.

Para këtij takimi, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka qenë optimist ashtu sikur edhe në takimin e të hënës së kaluar duke thënë se po takohet me Albin Kurtin për të ardhë deri të marrëveshja.

Të ngjashme