Mihajlloviq: Kosovës nuk i mjaftoi taksa, tani kërkon themelimin e Tribunalit për krimet serbe

Prishtinë | 06 Maj 2019 | 22:56 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka reaguar pas iniciativës së kryeparlamentarit, Kadri Veseli, për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka nisur formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës, ai u është drejtuar të hënën përfaqësuesve të shoqatave të familjarëve të personave pagjetur, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, duke thënë se serbët që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës ende nuk janë gjykuar për ato krime, të cilat siç ka thënë ai, kanë lënë mijëra viktima në Kosovë.

E gjithë kjo iniciativë e kryeparlamentarit Kadri Veseli, nuk po i pëlqen aspak Serbisë, shkruan lajmi.net.

Zëvendëskryeministrja serbe, Zorana Mihajlloviq, ka reaguar duke thënë se, formimi i një Tribunali të tillë sipas saj është edhe një tjetër provë se politikanët nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë për një të ardhme më të mirë për rajonin.

Sipas saj, Kosovës nuk i mjaftoi vendosja e taksës tash po pretendon edhe formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Mihajloviq, ka thënë se përmes këtij Tribunali, Kosova po tenton të krijojë një histori të rrejshme.

“Prishtina e rimori të gjithë rajonin në të kaluarën kur është fjala për liritë ekonomike, futja e taksës e që është kundër të gjitha rregullave të botës së qytetëruar. Nuk ishte e mjaftueshme për ta dhe tani ata duan të krijojnë një histori të rrejshme që do të fshehte të vërtetën për vrasjen dhe dëbimin e serbëve nga Kosova dhe shkatërrimin e kishave dhe manastireve serbe”, tha Mihajlloviq, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, një e ardhme më e mirë për rajonin është e mundur vetëm nëse bazohet në të vërtetën, përgjegjësinë dhe dialogun, dhe jo siç u shpreh Mihajlloviq, në gënjeshtra, pengesa dhe shkatërrim të çdo mundësie për të folur që po e bën aktualisht Kosova.

Të ngjashme