Ministri austriak sot viziton Kosovën

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri Federal për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, sot do të vijë në vizitë zyrtare në Kosovë.

Në aeroport atë do ta presë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, nga ora 09:00. Ndërkaq, një orë më pas ai do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Pas takimit me të parën e vendit, Schallenberg dhe Gërvalla do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Ministri austriak në Prishtinë po vjen nga Beogradi ku dje zhvilloi takime me disa nga udhëheqësit atje.

Ai gjatë qëndrimit në Beograd ka deklaruar se normalizimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Sipas mediave serbe që kanë transmetuar fjalët e tij, Schallenberg  ka bërë dallim mes “normalizimit të marrëdhënieve” dhe “marrëveshjes gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje reciproke”, duke thënë se normalizimi është qëndrim i BE-së.

I pyetur për pozicionin e vendit të tij dhe se a përpiqet Austria “për normalizim” apo një “marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje reciproke”, Schallenberg tha se “normalizimi” nuk është qëndrim i Austrisë, por i Bashkimit Europian.

Kryediplomati austriak në Beograd kishte folur për normalizim gradual të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse flasim për stabilitetin rajonal, normalizimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Më vjen mirë që presidenti Aleksandar Vuçiq tha të premten se do të përpiqet të bëjë përparim. Dialogu është një vrimë gjilpëre përmes së cilës vëzhgohet rajoni dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme”, tha ai.

Të ngjashme