Ministri Mehaj priti në takim shefen për Politikë të Gjerë Evropiane në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim shefen për Politikë të Gjerë Evropiane në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, znj Sarah Graham.

Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen më të lartë për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha fushat e posaçërisht në fushën e arsimimit dhe stërvitjes së pjesëtarëve të FSK-së në akademitë dhe qendrat trajnuese më prestigjioze britanike, si dhe përkrahjen me asistencë teknike të stafit të Ministrisë së Mbrojtjes, në proceset e prokurimit dhe llogaridhënies publike.

Nga ana e saj, znj Graham, konfirmoi mbështetjen për Ministrinë e Mbrojtjes në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe atyre operacionale të FSK-së, si dhe aspekteve tjera bilaterale që pritet të formalizohen me rastin e vizitës së Ministrit Mehaj në Mbretërinë e Bashkuar në javët e ardhshme.

Në fund të dy u pajtuan për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, posaçërisht në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, programeve të arsimimit dhe stërvitjes si dhe promovimit të politikave të barazisë gjinore dhe integrimit të mëtejmë të komuniteteve jo shumicë në FSK.

Pas takimit, Ministri Mehaj dhe znj. Graham nënshkruan marrëveshjen e re të bashkëpunimit ndërinstitucional, respektivisht aktin e pranim-dorëzimin të donacionit të ri në pajisjet specialistike për nevojat e Qendrës sonë Regjionale Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit.

Në vazhdim, znj. Graham me stafin e saj, u takua edhe me zv.komandantin e FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqin, i cili e informoi me procesin dhe shkallën e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së dhe atë të realizimit të objektivave operacional të Ministrit.

Më pas, gjeneral Cikaqi e shoqëroi znj. Graham në vizitën e saj në Shtabin e Përgjithshëm ku u prit nga gjeneral brigade Jeton Dreshaj dhe stafi i tij. Me këtë rast, gjeneral Dreshaj e njoftoi me misionin, strukturën, orientimin e aftësive, sfidat si dhe me bashkëpunimin e deritashëm me Mbretërinë e Bashkuar.

Znj. Graham, në fund takoi edhe Zv. Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, znj. Fahrije Sadiku, ku u njoftua me zhvillimet e përgjithshme në sistemin e administratës, zhvillimet në proces dhe ato në të ardhmen në funksion të realizimit të qëllimeve strategjike të Ministrit Mehaj.

Të ngjashme