Ministri Sveçla ftoi në takim koordinues Organizatat Ndërkombëtare lidhur me strehimin e qytetarëve afgan në Kosovë

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka ftuar në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtare në Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afgan në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Sveçla bëri të ditur se deri më tani në Kosovë kanë arritur 467 qytetarë, të cilët janë tashmë të strehuar, e ku me ndihmën e NATO-s, u janë ofruar  kushtet e nevojshme për akomodim fillestar.

Ai ka thënë se në këtë proces është shumë i nevojshëm përkrahja edhe e organizatave ndërkombëtare që janë të vendosura në Kosovë dhe me këtë qëllim i ka ftuar për të parë mundësitë e tyre për të ndihmuar në këtë proces të rëndësishëm, si dhe për të vendosur kanalet e drejta të komunikimit dhe koordinimit.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre  në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”, theksoi ministri Sveçla.

Ndërsa përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, theksuan gatishmërinë e tyre që në bazë të nevojave të identifikuara dhe mundësive,  të jenë në dispozicion të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në këtë proces.

Të ngjashme