Motra e deputetit të VV-së emërohet në Bordin e Teatrit Kombëtar

Prishtinë | 08 Maj 2021 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse, Kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të bëheshin punësime familjare nëpër ministri.

Sipas Kurtit, familjarët janë vetëm për dasma dhe ndeja private, dhe jo për punësim në ministri.

“Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale, teksa ishte kandidat për Kryeministër.

Së fundi Ministri i Kulturës që vjen nga Vetëvendosje, Hajurllah Çeku, ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ky këshill përbëhet nga: Ben Apolloni, Armend Smajli, Visare Aliu dhe Shkurte Aliu.

Emri i fundi në këtë listë bie në sy, pasi Shkurte Aliu është motra e deputetit të VV-së, Luan Aliut.

Ndryshe Shkurte Aliu ishte edhe kandidate për deputet në zgjedhjet e vitit 2017.

Përveç, Aliut pozitat politike në qeverinë Kurti janë mbushur me emërime të të afërmve të funksionarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës, është emëruar si këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka emëruar për këshilltar të tij politik, Sami Ukën. Ky i fundit është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Sami Uka është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ai edhe gjatë vitit të kaluar kur Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte këshilltar politik i tij.

Dafina Gexha-Bunjaku është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë.

Gexha-Bunjaku, e cila prej vitesh punon në Institutin e Shëndetësisë Publike, është bashkëshortja e Fatban Bunjakut, një funksionari të Lëvizjes Vetëvendosje. Bunjaku ka mbajtur disa funksione brenda LVV-së së Albin Kurtit. Aktualisht shërben si sekretar i një nënkomiteti të partisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme