Murati: Shqetësuese rritja e shpenzimeve për udhëtimet e deputetëve

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se po vërehet një trend i rritjes së shpenzimeve për vizitat e deputetëve jashtë vendit dhe kjo sipas tij është shumë shqetësuese.

Në Express Intervistën në KTV, Murati ka bërë të ditur se vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, shpenzimet për udhëtime jashtë vendit nga deputetët janë rritur për 86 për qind në krahasim me tremujorin e parë.

Ka thënë se do të ishte e kuptueshme nëse vizitat do të ishin për punët lidhur liberalizim apo për çështjet tjera lidhur me punën e deputetëve, por ka shtuar se po mbulohen shpenzimet e vizitave edhe kur deputetët takohen me biznesmenë për diçka jo të rëndësisë së madhe.

“Shpenzimet janë rritur për 86 për qind në tremujorin e dytë për dallim nga i pari. Është e domosdoshme të udhëtojnë për lobim për vizat, a çështje tjera lidhur me punën e tyre, por është e pakuptimtë pse Kuvendi duhet të mbulojë shpenzimet e vizitave në Dubai kur deputetët duan të takohen me biznesmenë, apo të mbulohen shpenzime për deputetë që duan të shkojnë në Spanjë, Turqi ku kanë marrë ftesa individuale e vizita s’ka rëndësi për të ndërtuar diçka më të madhe”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe më shqetësues është fakti që s’ka raporte të detajuara për vizitat e deputetëve. Ka thënë se kanë bërë apel që të ketë publikim të të gjitha detajeve, pasi sipas tij deri tash janë ofruar informata të mangëta.

Sa i përket punës së Kuvendit, Murati ka thënë se legjislatura e gjashtë po vazhdon trendin negativ të nisur në legjislaturën e pestë. Sipas tij, për mungesë të kuorumit po dështojnë jo vetëm seanca të shumta, por edhe mbledhje të komisioneve. Ka thënë se deputetët po neglizhojnë punën e tyre dhe kjo, sipas tij, ka bërë të ketë grumbullim të pikave të ditës që nuk po shqyrtohen. Ai ka kritikuar kryesinë e Kuvendit duke thënë se nuk po i përmbahet mbledhjeve të rregullta dhe po ndihmon në ngecje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme