Murati: VV-ja e ka shpëtuar KEK-un, janë manipulime akuzat për punësimin e militantëve

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 11:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur manipulime akuzat për punësimin e militantëve dhe familjarëve të Vetëvendosjes në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Në Kuvend, ai tha se “opozita kritikon për çështjet dhe problemet që vetë i ka shkaktuar”, raporton Ekonomia Online.

Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar KEK-un, dhe se më herët nuk kishte pasur kurrë konkurs aty dhe në ndërmarrjet tjera publike.

“Nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, iu përgjigj Murati akuzave nga deputetët opozitarë.

“KEK-u ka shpëtuar për shkak se LV nuk ju ka lënë t’ia bëni KEK-ut atë që ia keni bërë Telekomit. Sa i përket konkursit në KEK dhe etiketës që po provoni t’ia vëni LV, ka një dallim substancial, dhe po pyes qytetarët se s’kam çka ju pyes juve: a keni dëgjuar ndonjëherë në 20 vitet e kaluara që është shpallur ndonjë konkurs në KEK, në Telekom, në Postë apo kudo tjetër? Mijëra të punësuar janë punësuar me lista”.

Konkursin e fundit në KEK, Murati tha se “po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”.

Por, sipas kjo nuk është e vërtetë. “Për herë të parë, ka konkurs për punësim në KEK. Si qeveri jemi të interesuar që gjithsecili/a ta ketë mundësinë të aplikojë dhe të vlerësohet drejt”.

Ai tha se gjithashtu ekziston procesi ankimor për konkursin në KEK.

“Kur ju keni qenë në pushtet edhe bordet i keni ndarë me marrëveshje”.

Murati ka replikuar edhe me Besnik Tahirin e AAK-së i cili tha se ia kanë lënë Vetëvendosjes shtetin me “çelësa në dorë”.

“Buxhetin 2.1 miliardë që na keni lënë, për një 1 vjet e kemi bërë 2.75 miliardë. Për 1 vjet kemi fillu me i la mbi 400 milionë euro fatura të papaguara që na keni lënë. Për 1 vjet buxheti i ushtrisë është rritë për 40 milionë – kur juve ju kanë dashtë 10 vjet me e rritë 40 milionë buxhetin e ushtrisë”.

“Shtesat për fëmijë i kemi bërë për 1 vjet, ju për 20 vjet asnjë cent për fëmijë s’e keni dhënë. Bujqit për herë të parë mbështeten, ju subvencionohet akciza e naftës dhe plehu artificial – për herë të parë pas 20 vjetëve”.

“Pensionistët për herë të parë vitin e kaluar e kanë marrë pensionin e 13-të. Bizneset për herë të parë që 20 vjet s’kanë pasë nevojë t’ia lagin askujt fytin. Këtë po e thonë edhe vetë bizneset”.

“Pra, shumë e shumë punë janë bërë për herë të parë, që ju s’keni mujt as për 20 vjet t’i bëni. Nuk e kemi vështirë me kalu punën tuaj 20 vjeçare, ka mjaftu vetëm hajninë me ndalë por ne jemi duke bërë shumë më shumë punë të mira”.

Të ngjashme