Musliu: Qytetarët ia panë sherrin politikës për mosliberalizim të vizave

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se qytetarët po vazhdojnë t’ia shohin sherrin politikës për mosliberalizim të vizave. Në Deskun e KOHËS, Musliu ka thënë se zhvillimet politike në vend po bllokojnë çdo progres të mundshëm dhe si pasojë e tyre akoma s’ka liberalizim.

Ai ka thënë se për Qeverinë Kurti është vështirë të bëhet vlerësim real për punën, duke u bazuar në pak ditë që i ka pasur në udhëheqje. Sipas tij, në aspektin e sistemit të drejtësisë ka qenë nisja e vettingut si proces që duhet të vlerësohet.

Musliu ka thënë se në politikë pati iniciativa që mund të përkraheshin nga Bashkimi Evropian, por ka kritikuar luftën në praktikë ndaj korrupsionit.

“Sistemi i drejtësisë dhe policia janë të njëjta dhe rezultatet që kanë munguar tash e një dekadë po mungojnë ende. Deri më sot sistemi s’ka dhënë dëshmi se po i trajton me prioritet dhe po bën luftë ndaj korrupsionit. Edhe ajo që është theksuar në raportet e progresit, në aspektin e politikave, e krijimit të mekanizmave, por s’është theksuar lufta e vërtetë kundër korrupsionit. Gjithmonë janë munduar ta vlerësojnë, për shembull krijimin e mekanizmit të shenjëstrimit të rasteve të rënda, por s’ka pas diçka tjetër. Vazhdon të përsëritet qëndrimi që në Kosovë me gjithë ato investime në burgje, s’ka asnjë politikan a zyrtar të profilit të lartë të dënuar me vetëm një ditë. Jemi lodhë duke publikuar asetet të shumta që janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme e s’ka asnjë konfiskim nga shteti. Këto rezultate s’po na bindin as neve e lëre më shtetet e BE-së që thjesht duan të binden me cilin shtet po bëjnë marrëveshje”, ka shtuar ai.

Sipas tij, qytetarët e kanë merituar liberalizimin, por për shkak të hesapeve të politikanëve, gjithçka ka ngecur.

“Jo që qytetarët s’e meritojnë. Qytetarët e kanë merituar edhe më herët, sidomos nëse bëjmë krahasim me kriteret për sundim të ligjit edhe me vendet në rajon. Ne jemi shumë më mirë, sidomos në aspektin legal, por edhe çështjet politike ishin dhe mbesin ato që ngufasin çdo progres në këto procese të rëndësishme. E kishim afër më 2014 edhe tutje, por politika për hesape të veta s’ka mundur të mbërrijë konsensus të nevojshëm për të pasur votat e nevojshme për demarkacion e të ecim tutje. Vazhdojmë t’ia shohim sherrin politikës”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe partnerët e Kosovës “nuk duan të dëgjojnë demagogji, por duan rezultate konkrete që s’po i gjejnë”.

Sipas Musliut, sistemi gjyqësor është i varur nga politika dhe merr urdhra politik. Ai ka thënë se kjo ka krijuar “amnistinë” në raport me politikën.

Të ngjashme