Musliu-Shoshi me tri kërkesa ndaj institucioneve pas përhapjes se Coronavirusit

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka parashtruar sot tri kërkesa të hapura në drejtim të institucioneve të Kosovës në mënyrë që të ndihmojnë në gjendjen e krijuar në teren pas përhapjes së koronavirusit.

Musliu-Shoshi tha se duhet urgjentisht të vendoset shtyrja e pagesës së kredive për tre muaj.

Ajo gjithashtu kërkoi që spitalet dhe ambulantat private bashkë me personelin dhe pajisjet e nevojshme të vendosen në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Poashtu propozoi që mjekëve, policëve e të gjithë atyre që janë në shërbim jashtë orarit të rregullt,t’i kompensohen pagat.

Postimi i plotë::

Për institucionet e Kosovës, i kam tre kërkesa për ta ndihmuar gjendjen në teren, për arsye të rritjes së numrit të infektuarve me koronavirusin COVID-19:

1. Banka Qendrore e Kosovës në konsultim edhe me bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare në Kosovë, duhet të mblidhet urgjentisht dhe të vendosë për shtyerjen e pagesës së kredive për tre muaj, për të gjithë kredimarrësit në nivel vendi, për individët dhe për bizneset. Pra, të shtyhet pagesa deri në muajin qershor. Kjo do të ishte në funksion edhe të shmangies për të shkuar në bankë.

Qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar me qindra euro për ta përballuar gjendjen e krijuar për shkak të koronavirusit COVID-19. Edhe kredi, edhe shpenzime për shkak të fatkeqësisë me koronavirus, është e papërballueshme.

2. Qeveria e Kosovës të sjellë vendim që të gjitha spitalet dhe ambulantat private me gjithë personelin dhe pajisjet e tjera teknike të vendosen në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e situatës emergjente.

3. Për mjekët dhe të gjithë punëtorët e tjerë shëndetësorë, për policët të cilët janë në shërbim edhe jashtë orarit të përditshëm të punës, për shkak të urgjencës së lartë dhe të përqendrimit të tyre fizik dhe psikik, qeveria duhet të vendosë për t’i kompensuar jashtë pagës mujore.

Të ngjashme