Mustafa e mirëpret vendimin për reciprocitet: Pranimi i masave nga Serbia do të thotë njohje

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 16:06 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimi për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë po mirëpritet nga njohës të ekonomisë.

Ky vendim vlerësohet se është në frymën e akteve ndërkombëtare CEFTA’s dhe e drejtë burimore e secilit shtet.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, tha për Ekonomia Online se reciprociteti është politizuar, duke e ndërlidhur me tarifën. Mustafa ka thënë se kjo do të jetë  vështirë për Serbinë sepse pranimi i masave do të thotë njohje e Republikës së Kosovës.

Mirëpo ky vendim mund të krijojë problem në marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në dhe shtetet e tjera.

Mustafa vlerëson se vendosja e reciprocitetit është dashur të bëhet qysh nga viti 2011.

“Vendosja e masës së reciprocitetit është një normale dhe e drejtë burimore e secilit shtet që t’i rregullojë marrëdhëniet ekonomike e politike dhe marrëdhëniet e tjera me shtetet  fqinje. Qëndrimi i Serbisë duhet të jetë i ngjashëm më atë që kishte me tarifën, sepse në fakt edhe masat e reciprocitetit thuhet se Serbia duhet t’i pranoj bisedat me Kosovën në baza të barabarta”, tha ai.

Mes tjerash, Mustafa deklaroi se Serbia do të mundohet t’i evitoj masat e reciprocitetit pasi që pranimi i tyre do të ishte një njohje e Pavarësisë së Kosovës.

“Ne kemi bërë një gabim të madh në bisedimet me Serbinë që nga viti 2011 që nuk kemi zbatua masat e reciprocitetit. Serbia do të mundohet t’i evitoj masat e reciprocitetit pasi që pranimi i tyre do të ishte një njohje e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është e natyrshme të gjykohet një vend që vë masat e reciprocitetit, është normale të bëhet mes vendeve dhe janë në frymën e akteve ndërkombëtare të Organizatës Botërore të CEFTA-s, ato nuk duhet të diskutohen. Ne i kemi politizuar sepse i kemi lidh me tarifën”, u shpreh Mustafa.

Ndër të tjera, Mustafa theksoi se reciprociteti mund të sjell probleme me ShBA-në, të cilët e kanë kundërshtuar vendosjen e masave të reciprocitetit që nga fillimi.

“Kjo mund të krijojë problem në raportet tona me partnerët tanë, në rend të parë me ShBA të cilët kërkonin që për një kohë derisa të fillojnë bisedat dhe të testohet qëndrimi i Serbisë të mos vendosen masat e reciprocitetit. Me rastin e fillimit të negociatave me Serbinë hapi i parë është që Serbia të pranoj vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës e cila gjeti se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa për EO.

Sot, janë kthyer maunet e para me mallra të Serbisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë. Nga tani, nuk do të mund të hyjnë asnjë mall nga Serbia e Bosnja, nëse nuk figuron në faturën e mallit “Republika e Kosovës” dhe jo siç ishte deri tani ” Kosovo i Metohije”.

Të ngjashme