Mustafa po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë

Prishtinë | 04 Kor 2019 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Ekrem Mustafa po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Poznan të Polonisë ku pjesëmarrëse janë shtetet e Procesit të Berlinit.

Në sesionin e parë, Ministrat e Brendshëm diskutuan mbi lidhjen mes migrimit të paligjshëm dhe aktiviteteve të krimit të organizuar. Ministri Mustafa potencoi se Republika e Kosovës ka mjaft të konsoliduar legjislacionin në këtë drejtim.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe agjencitë që veprojnë nën autoritetin e saj, mbeten të përkushtuar ne vazhdimësi ne luftën ndaj te gjitha llojeve te krimit te organizuar duke dhënë kontributin e sajë edhe ne luftimin e krimit trans-kufitar”, – tha Mustafa.

Në sesionin e dytë i cili iu kushtua iniciativës frango-gjermane për zvogëlimin e numrit të armëve të lehta dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, Ministri Mustafa vuri re se Kosova gjatë viteve të fundit ka arritur progres në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, ndërsa që nga viti 2008 është duke u implementuar strategjia dhe plani  i veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta, e cila është ne përputhje me Udhërrëfyesin Rajonal dhe në frymë me obligimet e  përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke folur për luftimin e korrupsionit, për të cilin u bë fjalë në sesionin e tretë të takimit të Ministrave të MPB-së, Mustafa përmendi faktin se Qeveria e Kosovës ka miratuar “Strategjinë e re Kundër Korrupsionit dhe Plani i veprimit  2018-2022”.

Mustafa u shpreh se mos anëtarësimi i Kosovës në të gjitha mekanizmat e sigurisë, po paraqet jo rrallë vështirësi për autoritetet e sigurisë në Kosovë. Mustafa u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve prezent që Kosovës t’i hapen dyert e anëtarësimit në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Në këtë samit morën pjesë ministrat e brendshëm të rajonit së bashku me përfaqësues nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme