Mustafa pret që Teuta Rugova “të mbushet vetë mend”

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 20:27 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, është pyetur nga gazetarët edhe për qëndrimin e deputetes Teuta Rugova, në kundërshtim me vijën partiake. E bija e ish-presidenti Ibrahim Rugova, së fundi ka marrë pjesë në seancat e thirrura nga pozita, duke mundësuar kuorumin, megjithëse LDK-ja po i bojkotonte.

Kryetari Mustafa la të kuptohet se nuk do të marrin masa ndaj saj. Por, ai tha se pret q’ Teuta Rugova “të mbushet vetë mend”, sikur kanë bërë edhe më herët deputetë të tjerë. Mustafa nuk përmendi emra, por ky ishte një aludim i qartë për Vjosa Osmani, deputeten më të votuar të LDK-së, e cila nuk e kishte votuar Mustafën si kryeministër, në mandatin e kaluar.

I pyetur për qëndrimet e deputetes Teuta Rugova, ai tha se presin që ajo të reflektojë vetë, derisa theksoi që LDK-ja nuk e ka për herë të parë që deputetët t’i dalin kundër partisë.

“Ne nuk e kemi veç deputeten Teuta Rugovën që ka dalë nga rendi i partisë, kemi pasë edhe deputetë të tjerë që kanë votuar kundër nesh. I kemi lënë me marrë mend vetë. Edhe Teuta Rugova do ta kuptojë, siç e kanë kuptuar deputetët e tjerë”, deklaroi Mustafa, raporton Ekonomia Online.

“Një deputet duhet të dijë nga kush i ka marrë votat”, theksoi Mustafa, i cili së fundi është kthyer në drejtimin e partisë, pas disa muajsh mungese shkaku i një sëmundjeje.

Të ngjashme