Mustafa priti në takim delegacionin nga kongresi amerikan

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 14:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së, të kryesuar nga kongresisti Bob Goodlatte nga Virginia, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin.

Gjatë takimit, u bisedua për progresin e deritashëm, zhvillimet aktuale si dhe perspektivën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës në vitet në vijim.

Kryeministri Isa Mustafa i njoftoi kongresistët amerikanë për të arriturat e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, në proceset integruese euroatlantike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në fusha të tjera të jetës.

Duke theksuar mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme të ShBA-së, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik me ShBA-në.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, relacionet me shtetet në rajon, suksesin e arritur në luftën kundër terrorizmit dhe për përkushtimin e plotë të Kosovës në rrugën integruese euroatlantike.

“Për Kosovën dhe popullin e saj, anëtarësimi i plotë në strukturat euroatlantike, ndryshe prej ndonjë vendi në rajon, është e vetmja alternativë”, tha kryeministri Mustafa.

Kongresistët amerikanë vlerësuan të arriturat e deritashme të Kosovës duke theksuar përkrahjen e ShBA-së për zhvillimet e mëtejshme.

Kongresistët amerikanë u interesuan për çështje të ndryshme që lidhen me zhvillimet aktuale në Kosovës, për relacionet me vendet fqinje, forcimin e shtetit të së drejtës, për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Të pranishëm në takim ishin kongresistët Bob Goodlatte (R-VA), Peter DeFazio (D-OR), Steve King (R-IA), David Cicilline (D-RI), Dave Trott (R-MI), Matt Gaetz (R-FL) dhe zëvendës-shefja e Misionit të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland.

Lexo më shumë:

Të ngjashme