Ndërkombëtarët s’thonë asnjë fjalë për racizmin e Daçiqit dhe të Vulinit

Prishtinë | 04 Tet 2020 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Asnjë reagim nga shtetet e Quintit nuk ka ndodhur pas deklaratës së kryediplomatit serb, Ivica Daciq për fshehjen e varreve masive të shqiptarëve në Serbi dhe të ministrit të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, që në deklaratë zyrtare i quan shqiptarët “siptarima”.

Ivica Daciq, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme në Serbi, u nervozua në një emision televiziv me serbët, që, sipas tij, po tregojnë se ku janë varret masive të shqiptarëve në Serbi.

Me këtë, zyrtari i lartë i Serbisë tregonte haptas se varret ekzistojnë dhe halli i tij është të mos zbulohen, shkruan Gazeta Express.

Deklarata ““çfarë të bëhet me serbët që u tregojnë shqiptarëve se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, që do të mund të bënte problem për drejtësinë, nuk ka marrë madje asnjë reagim politik nga ndërkombëtarët.

Asnjë zyrtar i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga e premtja, nuk i ka reaguar Daciqit.

Të premten, edhe kolegu i Daciqit, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, rifreskoi casjen raciste të qeverisë serbe.

Në një komunikatë zyrtare të lëshuar nga ministria e Mbrojtjes, shqiptarëve u referoheshin me termin fyes “siptarima”.

Këtë e ka bërë gjatë komentimit të takimit të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, të premten në Tiranë.

““Me deklaratën se porti i Durrësit do të bëhet i Kosovës, Edi Rama ka vazhduar punën për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Si çdo herë deri më tash, Bashkim Evropian po hesht dhe nuk do të ndërmarrë asgjë. Shqiptarët mund të bashkohen dhe të rrëmbejnë toka të huaja, kurse serbët nuk mund të bashkohen as në tokat e tyre. Kështu po vazhdohet gënjeshtra se ‘Shqipëria e Madhe’ është gjë natyrale, kurse bashkimi i serbëve në një shtet shihet si rrezik për paqen”, ka deklaruar ministri serb.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, u ka nisur letër ambasadorëve të shteteve të Quint-it, pra Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke kujtuar krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës, Haradinaj –Stublla ka kërkuar nga ata që dënojnë deklaratat e ministrave serbë.

“Kërcënimet publike nga Ivica Daçiq, ndaj serbëve të cilët tregojnë vendet ku fshihen trupat e viktimave shqiptare të Kosovës, ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës e hapje të plagës së vjetër, dhe veçanërisht për familjet e viktimave dhe atyre që ende rezultojnë të zhdukur 21 vjet pas luftës. Për më tepër, thirrja ksenofobe e Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve – në deklaratën e djeshme zyrtare për shtyp – meriton dënimin tuaj të fuqishëm ndaj akteve të turpshme dhe shoviniste të qeverisë së Serbisë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në letër.

Ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, e ajo ka pasur një polemikë me Marko Gjuriqin, drejtor i zyrës së ashtuaquajtur për Kosovën, në kuadër të Qeverisë së Serbisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka pyetur në Twitter Presidentin serb, Aleksander Vuciq, nëse gjuha raciste e Vulinit ishte përdorur njëmend në komunikatë zyrtare të shtetit.

Të ngjashme