Në MPJD nuk ka asnjë rast të ri me Covid-19, por anulohen takimet fizike

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 23:43 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme një numër i stafit të Ministrisë dhe Kabinetit, janë testuar për COVID-19 nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Testimet janë bërë për shkak se një punonjëse e MPJD-së, ditë më parë u konfirmua me këtë virus, të marrë nga një familjar i saj. Për fat të mirë, të gjitha testimet e sotme kanë rezultuar negative.

MPJD thotë se që nga momentet e para të dyshimeve e deri më sot me rezultatet negative, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme parandaluese, sipas udhëzimeve nga institucionet tona. Këto masa do të vazhdojnë të aplikohen deri në tejkalimin e situatës.

“Për këtë motiv, për ta mbrojtur shëndetin publik, sot dhe nesër të gjitha takimet fizike të parapara i kemi anuluar”, thuhet në njoftimin për shtyp, përcjell EO.

Nga e mërkura, MPJD thotë se do vazhdojë me takime virtuale deri në relaksimin e masave, konform rekomandimeve të IKSHPK-së.

Të ngjashme