Nesër shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, ky është opinioni i SHBA-së për vetting-un në Kosovë

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kërkon nga Ministria e Drejtësisë implementimin me përpikmëri të rekomandimeve që pritet të lëshohen nesër nga Komisioni i Venecias mbi Koncept-Dokumentin për Vettingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, e hartuar nga dikasteri i Drejtësisë.

Kështu është deklaruar një zëdhënëse e ambasadës amerikane për lajmi.net, kur është pyetur për qëndrimin e SHBA-së kundrejt procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Inkurajojmë Ministrinë e Drejtësisë të implementojë në plotësi rekomandimet e Komisionit të Venecias, përpara se të votohet Projektligji final në Kuvend. Është kritike që vetting-u dhe përpjekjet tjera reformuese në drejtësinë penale t’u shërbejnë qytetarëve dhe të jenë në përputhshmëri të plotë me standardet Europiane”, deklaron zëdhënësja e ambasadës së SHBA-së.

Këto deklarata vijnë një ditë përpara se Komisioni i Venecias ta shqyrtojë koncept-dokumentin për çështjen e “vetting”-ut në Kosovë. Të enjten pritet edhe draft-opinioni nga institucioni europian i drejtësisë mbi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Paluajtshme, i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Kështu është bërë e ditur në agjendën e Komisionit të Venecias, duke thënë se komisioni është ftuar të shkëmbejë mendimet me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Komisioni ftohet të shkëmbejë mendime me znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë së Kosovës, dhe të shqyrtojë, me qëllim të miratimit, draft opinionin (CDL(2022)020) (Sc/GiD/is) mbi Koncept Dokumentin për Vettingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe draft-amendamentet e Kushtetutës së Kosovës (CDL-REF(2022)023), i hartuar në bazë të komenteve të znj. McMorrow, z. Pinelli dhe z. Vilanova Trias. Ky opinion është kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë së Kosovës më 25 tetor të 2021-ës. Nënkomisionet për Sundimin e Ligjit, Gjyqësorin dhe Basenin e Mesdheut do ta shqyrtojnë këtë draft opinion në mbledhjen e tyre të përbashkët më 16 qershor të 2022-ës”, theksohet në agjendën e komisionit.

Komisioni Europian, në një përgjigje për mediumin përpara dy muajsh, e ka përsëritur qëndrimin se e sheh si mundësi të fundit vetting-un si metodë për reformat në drejtësi. Një zëdhënëse e KE-së, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se BE-ja janë në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias për koncept-dokumentin e vetting-ut, në mënyrë që të identifikohet një rrugë që është në përputhje me standardet europiane.

“Pozicioni i Komisionit Europian ka qenë konsistent: Vetting-u i plotë duhet të mbetet masë e jashtëzakonshme dhe duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë ezauruar mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar llogaridhënien”, është deklaruar ajo.

“Komisioni Europian ka marrë shënim pozitiv të planeve të qeverisë për të nisur ‘vetting’-un në gjyqësor. Kjo është diskutuar në detaje gjatë Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë më 7 dhjetor dhe në takimet bilaterale të mbajtura që nga ajo kohë. Presim me padurim të vazhdojmë diskutimet me autoritetet e Kosovës, në bazë të opinionit të ardhshëm të Komisionit të Venecias për koncept dokumentin e qeverisë, në mënyrë që të identifikohet një rrugë plotësisht në përputhje me standardet europiane”, potencoi ndër të tjera zëdhënësja e KE-së.

Për çështjen e verifikimit të gjykatësve e prokurorëve në Kosovë u pati deklaruar edhe këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens. Kjo e fundit ka kërkuar që vetting-u, krahas Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, duhet të hartohen me kujdes.

“Gjëja e parë është që ju (Kosova) duhet të vendosni se çfarë të nënkuptoni me vetting. Termi vetting, siç kuptohet, të paktën në Shtetet e Bashkuara, është që të vlerësoni rreziqet që një individ mund të ketë për ekspozim ose turpërim të institucionit ku ata kanë qenë në pozita që kërkojnë besim. Mendoj se ne hyjmë në vështirësi… Siç e dini dhe ju, më 2009 dhe 2010, Kosova ka bërë vetting. Ai proces më pas u adoptua dhe u përshtat në Shqipëri. Nuk mund të keni një sistem ku ju e bëni të njëjtën gjë vazhdimisht, sikurse vettingu që u krye një herë”, pati deklaruar ajo në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, në raportin e Parlamentit Europian për Kosovën, është kërkuar që Qeveria e Kosovës të ketë parasysh opinionin, tashmë me rezerva, të SHBA-së dhe BE-së për çështjen e vetting-ut dhe të shihet si mjeti i fundit për reformat në drejtësi.

Mirëpo, krerët institucionalë e kanë parë “vetting”-un si të vetmin mjet të reformimit të drejtësisë. Ministrja Haxhiu, kryeministri, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani, të paktën, janë shprehur njëzëri kështu.

Qeveria Kurti ka arritur të formojë grupin punues për vetting në sistemin e drejtësisë. Përfaqësues në këtë grup, krahas përfaqësuesve të drejtësisë, do të ketë edhe anëtarë nga shoqëria civile e ekspertë.

Të ngjashme