Një vit qeverisje me skandale

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 08:28 | Nga

Në fundjavën e kaluar qeveria “Haradinaj” ka mbushur vitin e parë të funksionimit, ndërsa vlerësohet se ka dështuar t’i përmbushë premtimet për liberalizimin e vizave dhe për formimin e ushtrisë brenda tre muajve, siç kishte premtuar kryeministri Ramush Haradinaj. Për më shumë, kjo Qeveri vlerësohet se ka marrë vendime skandaloze, siç është ai për rritjen e pagave për qeveritarët, për emërimin e rreth 75 zëvendësministrave, për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, për pranimin e dënimit prej 53 milionë eurove për “Bechtel Enka”-n e të tjera. Kurse Kuvendi në këtë periudhë është karakterizuar me dështim të shumë seancave plenare për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Liberalizimi i vizave brenda tre muajsh prej fillimit të punës së Qeverisë së re, si dhe formimi i ushtrisë së Kosovës brenda asaj periudhe kanë qenë dy nga premtimet më të mëdha të kandidatit për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinajt, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende janë pa liberalizim dhe Kosova është pa ushtri edhe pse në fundjavën që lamë pas është bërë një vit prej konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të qeverisë “Haradinaj”.

Partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare qeveria “Haradinaj” ka dështuar t’i përmbushë premtimet parazgjedhore, si dhe programin qeverisës, madje sipas tyre kjo Qeveri karakterizohet me vendime skandaloze. Ata gjithashtu vlerësojnë se Kuvendi ka dështuar të përmbushë agjendën legjislative, ndërsa thonë se deputetët më shumë janë marrë me sharje e me fyerje ndaj njëri-tjetrit sesa që kanë kryer detyrat që u takojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme