Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Fetoshi: Tërheqja e njohjeve, strategji e Serbisë, por kjo nuk e arsyeton dështimin e diplomacisë kosovare

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi njëherësh edhe profesor universitar, ka komentuar në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket ç’njohjeve ndaj shtetit tonë, ku së fundmi është raportuar se Sierra Leone ka hequr njohjen e saj ndaj Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Metro, Fetoshi ka thënë se ky lobim me tërheqje të njohjeve është strategji e diplomacisë serbe për të siguruar një epilog të favorshëm të procesit të dialogut, gjë që duhet të bëjë Prishtinën zyrtare të tregohet më konstruktive dhe bashkëpunuese dhe të koordinohet më mirë me aleatët, duke ndërtuar kështu unitet politik përballë Serbisë.

Ai tutje ka shtuar se kjo luftë për ç’njohje ndaj vendit tonë, nuk e arsyeton dështimin e diplomacisë kosovare për mbulimin e të gjitha vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën dhe për një përgjigje adekuate ndaj lojës serbe.

“Lufta me tërheqjet e njohjeve që nuk njihet si praktikë në të drejtën Ndërkombëtare është strategji e diplomacisë serbe për të siguruar një epilog të favorshëm të procesit të dialogut. Natyrisht se kjo nuk e arsyeton dështimin e diplomacisë tonë për mbulimin e të gjitha shteteve që na kanë njohur dhe për një përgjigje adekuate ndaj lojës serbe, ndonëse nuk janë dhe nuk duhet të shihen si lëvizje që mund ta cenojnë Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje Fetoshi.

Ndër tjerash ai ka shtuar se marrëveshja finale Kosovë-Serbi, do të kishte ndikuar ndikuar në relevancën e lajmeve për ç’njohjet ndaj Kosovës.

“Pengesat për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës ka vite që janë futur në një menkanizëm të mbështetur nga faktorët kryesorë të botës – në procesin e dialogut – dhe një marrëveshje finale Kosovë-Serbi do t’i bënte irelavante lajmet për çnjohjet. Për këtë arsye dhe në rrethanat aktuale, Prishtina zyrtare duhet të tregohet konstruktive e bashkëpunuese, të koordinohet sa më mirë me aleatët dhe më e rëndësishmja, të ndërtojë unitet politik përballë Serbisë”, ka përfunduar Fetoshi për Gazetën Metro.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është raportuar se Sierra Leone është vendi i radhës që ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, ç’njohje kjo për të cilën ka lobuar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, i cili edhe deklaroi sot për mediat serbe në lidhje me këtë ç’njohje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme