Opozita kërkon rishkrimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore

Prishtinë | 03 Gus 2022 | 11:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë opozitare në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, kanë kërkuar të kthehet mbrapa në Qeveri Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.

Ata konsiderojnë se ky Projektligj nuk është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese dhe si i tillë duhet të ndryshojë. Ata kanë përmendur gjithashtu edhe komentet e Komisionit të Venecias, për të cilën thonë se nuk janë marrë parasysh nga Qeveria.

Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, ka kërkuar që komisioni ta trajtojë në lexim të dytë Projektligjin.

“Projektligji ka kaluar në parim tash propozoj që i gjithë komisioni të jemi në grup punues për ta trajtuar në lexim të dytë këtë projektligj. Unë i kam dorëzuar brenda afatit disa amendamente si deputet si material pune për grupin punues në mënyrë që të kemi propozime. Qëndrimi është i qartë të gjitha rekomandimet e komisionit duhet dhe do të adresohen në këtë projektligj”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq, Driton Selmanaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se në mënyrën se si është propozuar nga Qeveria, Projektligji është i papërmirësueshëm.

“Ne kemi diskutuar gjatë për këtë projektligj dhe e kemi marrë edhe raportin e Venecias. Nëse e analizojmë me kujdes, Komisioni i Venecias vetëm një gjë e konsideron të pranueshme që konfiskimi civil mund të ndodhë. Asnjë paragraf dhe asnjë nen tjetër nuk e aprovon sipas leximit tim të këtyre rekomandimeve. Kur komisioni i Venecias vë në dilemë mënyrën e themelimit dhe zgjedhjes së drejtorit dhe strukturën udhëheqëse dhe më pas formën e raportimit a duhet ti raportojë kuvendit apo jo. Unë refuzoj të jem pjesë e këtij grupi punues. Do të ishte mirë t’i sugjerojmë qeverisë edhe në këtë fazë ta tërheqë idenë dhe ta sjellë sërish me adresim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, ka thënë Selmanaj.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që Projektligji të kthehet në Qeveri në mënyrë që të shkruhet nga fillimi.

“Nëse byroja ka për qëllim të jetë institucion i pavarur me leximin e ligjit ky institucion bie ndesh me ligjin dhe bëhet i varur. Me këtë ligj e kemi ulur nivelin e trajtimit të kësaj teme. Sipas këtij Projektligji drejtori zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Ky drejtor që ka të drejtën të nisë hetime zgjidhet me 31 vota përderisa drejtorin e AKK e zgjedhin me procedurë të fshehtë. Ky institucion e godet në esencë atë që është ndërtuar për vite në gjykata dhe prokurori. Duke qenë se komisioni i Venecias ka gjetur shumë vërejtje dhe faktori ndërkombëtar ka skepticizëm, propozimi ynë është që të kthehet ky ligj në qeveri dhe të shkruhet prej fillimi. Ne si grup parlamentar nuk marrim pjesë në grup punues”, ka thënë Tahiri.

Edhe Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që Projektligji të kthehet në Qeveri për rishkrim.

“Pajtohem me deputetët kur deklarojnë se kërkojnë nga Ministria Qeveria ta rishkruajë ligjin. Ne konsiderojmë që kjo nismë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk do të marrim pjesë në grup punues. Kërkojmë nga Qeveria të krijojë konsensus me partitë tjera ta kthejë ligjin dhe ta punojmë bashkërisht një ligj të zbatueshëm”, është shprehur Beqa.

Lexo më shumë:

Të ngjashme