Osmani: Shqetësuese rritja e trendit të rasteve të dhunës seksuale

Prishtinë | 06 Kor 2022 | 15:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka prezantuar raportin monitorues “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, i cili ofron një vlerësim preliminar për mënyrën se si i trajton sistemi i drejtësisë në Kosovë rastet e dhunimit, raporton Ekonomia Online.

Ky raport përfshin gjetje dhe rekomandime konkrete për autoritetet e Kosovës.

Në prezantimin e këtij raporti ishte edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo ka përgëzuar EULEX-in për këtë raport, me ç’rast tha se institucionet janë duke punuar në këtë drejtim.

Tha se është shqetësuese trendi i rritjes së rasteve të dhunës seksuale në Kosovë

“Vendi ynë tashmë ka marrë përsipër një sërë obligimesh për të trajtuar dhunën ndaj grave, që dalin jo vetëm nga legjislacioni i brendshëm por veçanërisht nga Konventa e Stambollit, të cilën unanimisht e kemi bërë pjesë të Kushtetutës sonë. Zotimet e tilla ndërkombëtare nuk janë thjesht deklarative, në fakt na detyrojnë neve si shtet që të luajmë rol më proaktiv në parandalim si dhe në hetim dhe dënim mbi bazën e dhunës mbi baza gjinore”, tha presidentja Osmani.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kërkoi angazhim ndërinstitucional për luftimin e kësaj dukurie. Tha se Policia e Kosovës ka disa prioritete gjatë trajtimit të këtyre veprave penale.

“Për të luftuar dhunën seksuale është e nevojshme marrja e një sërë veprimesh dhe masave esenciale dhe parandaluese nga institucionet për të përmirësuar perceptimin e shoqërisë ndaj kësaj kategorie si dhe duke mbështetur viktimat me vënien e kryerësve para përgjegjësitë. Policia e Kosovës ka disa prioritete gjatë trajtimit të këtyre veprave penale, në fillim në sigurimin dhe ofrimin e hetimit profesional ”, tha Mehmeti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale në tri vitet e fundit janë të mitur. Megjithatë, ajo tha se e kanë prioritetizuar adresimin e dhunës në familje, dhunës seksuale, psikike dhe materiale.

“Ministria e Drejtësisë konsideroi se si asnjëherë më parë e ka bërë prioritet adresimin e dhunës në familje, dhunës seksuale, psikike, materiale. Në këtë drejtim jemi duke punuar shumë që secilën prej përgjegjësive që kanë institucionet të adresohet siç duhet”, tha ajo.

Kurse, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se për rastet e dhunës seksuale duhet koordinim ndërinstitucional.

“Ajo që është e rëndësishëm dhe mbetet si nevojë është koordinimi i institucioneve dhe bashkërendimit, është hetimi cilësor. Në radhë të parë çështja e efikasitetit të gjitha institucioneve të këtyre rasteve, pasi raporti tregon se ka mungesa të theksuara në adresimin e këtyre rasteve”, shtoi ai.

Ndërsa, shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemar, tha se i njëjti është përpjekje për të mbështetur institucionet e Kosovës në adresimin e dhunës seksuale ndaj grave dhe dhunës në përgjithësi.

Të ngjashme