Osmani: Ushtria është identitet i shtetit, e përgatitur për ta mbrojtur territorin

Prishtinë | 17 Shk 2022 | 12:42 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet kuadratet e FSK-së dhe Policia e Kosovës kanë bërë parakalimin, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin krerët më të lartë të shtetit.

Me këtë rast presidentja Osmani tha se është krenare në parakalimin e ushtrisë dhe policisë. Ajo tha se këta djem dhe vajza janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës.

“Jam krenare që ndodhem sot këtu para jush në këtë parakalim të ushtrisë dhe të policisë sonë në 14 vjetorin e Republikës së Kosovës. Katërmbëdhjetë vite të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë, por nuk janë as pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin.

Këta djem e vajza që do të parakalojnë para jush janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës. Ata nuk janë vetëm siguria jonë, por edhe garanca për çdo cep të territorit të Kosovës.

Ata janë identiteti i shtetit të tonë të ri, për të cilin dhamë shumë mund dhe të cilin po e ndërtojmë çdo ditë e më shumë, po e forcojmë çdo ditë e më shumë dhe po e konsolidojmë çdo ditë e më shumë”.

“Teksa forcat tona policore e ushtarake do të marshojnë në sheshet e Prishtinës, nuk ka se si të mos  kujtohet sakrifica e brezave të shumtë për liri, periudha e rezistencës paqësore dhe ajo e rezistencës së armatosur, puna ikonike e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova për liri, pavarësi e demokraci, sakrifica sublime e rreth 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së që së bashku me prijësin e tyre, komandantin legjendar Adem Jashari me familjen e tij dhanë gjithçka për lirinë tonë. E mbi të gjitha, nuk ka se si mos të kujtohet se sa e dhimbshme e plot sakrifica ishte rruga drejt lirisë për secilin prej jush të nderuar qytetarë të Kosovës. Rreth 13 mijë civilë të vrarë, prej të cilëve akoma shumë të zhdukur, rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës që akoma kërkojmë drejtësi, e shumë e shumë dëme, shkatërrime tjera që kishin synim shfarosjen tonë tregojnë se drejtësia akoma nuk është vendosur e për drejtësi thërrasim çdo ditë”.

“Në këtë ditë të madhe për shtetin tonë, nuk duhet të reshtim së përsërituri: Faleminderit Amerikë, faleminderit NATO dhe faleminderit të gjitha shteteve mike, të cilët na dolën në ndihmë më 1999 për të  na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit!

Secili nga njerëzit e këtij vendi ka bërë diçka për këtë ditë. Secili në mënyrën e vet e ka bërë diçka që Kosova të bëhet shtet, prandaj sot jemi këtu dhe përulemi me respektin më të madh ndaj të gjithë atyre që ëndrrën tonë për shtetin e bën realitet.

Sot, kemi arsye të festojmë, sepse shteti ynë tashmë e ka profilin e ndërtuar. Një shtet i vogël, por me zemër të madhe, synim i të cilit është Bashkimi Evropian, NATO, Kombet e Bashkuara dhe organizata të  tjera ndërkombëtare ku ne do ta japim kontributin tonë. Populli më proamerikan, më proevropian e më pro NATO, e ka rrugën e qartë përpara. Ne jemi jo vetëm pjesë gjeografike e Evropës, por jemi pjesë e saj, sepse edhe ndajmë vlerat e përbashkëta e synojmë të arrijmë në strukturat euro-atlantike”.

“Në këtë rrugë, Kosova tashme i ka dhënë provat e saj, qoftë me përkushtimin ndaj forcimit të shtetit, poashtu edhe me forcimin e institucioneve vitale të tij.

Ushtria jonë që sot do të parakalojë para jush është e përgatitur dhe profesionale në mbrojtjen e sovranitetit dhe të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo Forcë është poashtu e përgatitur të jetë partneri më serioz i aleancës sonë me partnerët në shërbim të paqes. Sot në krye të kësaj Force ndodhet gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili, sikurse Adem Jashari që praroi simbolin e UÇK-së, i nipi i tij sot bart në supe procesin e rëndësishëm të transformimit të ushtrisë sonë dhe shkëlqimit të saj deri në anëtarësimin në NATO.” ka deklaruar Osmani.

Osmani tha se Ushtria e Kosovës që do të parakalojë sot në sheshet e Prishtinës është e përgatitur për të mbrojtur territorin e Kosovës.

Të ngjashme