Pacolli e pyet VV-në që e portretizoi si shkatërrues: Çka keni bërë ju për Kosovën?

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në një video propaganduese e fut në “një thes” me ata që sipas kësaj partie “e kanë shkatërruar Kosovën për 20 vjet”.

Pacolli ka përmendur kontributin e tij, përfshirë nënshkrimin e deklaratës së pavarësisë, sjelljen e njohjeve për Kosovën etj.

“Jo zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?”, ka shkruar Pacolli në faqen e tij në Facebook.

POSTIMI I PLOTË I PACOLLIT:

E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?

  • Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.
  • Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …
  • Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.
  • Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.
  • Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.
  • Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni.
  • Sot shëroj me dhjetëra pacientë jashtë vendit dhe i financoj me dhjetëra studentë jashtë vendit e ju asnjë.

Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…

Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!

Të ngjashme