Pakënaqësi në PDK rreth emrave të propozuar për kryesinë e re

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili ka reaguar në lidhje emrat të cilët po përfliten se janë pjesë e kryesisë së re udhëheqësë të PDK-së.

Sipas Ismailit, prurjet e ish- kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit kanë qenë vizionare ndërsa përmendi edhe bashkimin e saj me këtë parti nga e cila u bë edhe deputete mandatin e kaluar.

“Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik”, ka shkruar Ismaili në një postim në rrjetin e saj personal Facebook.

“Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim. Por natyrisht, aktiviteti im politik do të jetë në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, si institucion, si emanet i brezave që po përballen me padrejtësinë ndërkombëtare”, shkruan tutje Ismaili.

“Natyrisht aktiviteti im politik vazhdon edhe më fuqishëm dhe do të ketë fokus avokimin e opinionit ndërkombëtar për daljen faqebardhë të çlirimtarëve. Liria e tyre është misioni ynë, misioni im, dhe do të duhej të ishte edhe mision i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ismaili.

Të ngjashme