PDK nuk propozon rezolutë dhe e lëshon sallën, s’ka kuorum për votim

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 00:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se s’ka kuorum për të votuar rezolutën e propozuar më herët nga Vetëvevendosje dhe LDK-ja.

“Meqenëse i kemi vetëm 57 deputetë, do ta vazhdojmë seancën në një seancë tjetër”, tha Osmani në fund.

Veseli nuk propozon rezolutë, uron që të mos largohen ushtarët amerikanë nga Kosova

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, njëherësh lider i opozitës në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve gjatë seancës së thirrur nga partia e tij rreth raporteve Kosovë-SHBA, tha se seanca është thirrur si “shqetësim kombëtar, e jo luftë politike”.

“Ne s’jemi antiamerikanë, por jemi proamerikanë, e madje më shumë se ju. Kryeministri dhe qeveria na u përgjigjën, e kuptuam mesazhin, por qytetarëve nuk iu dhatë përgjigje. Ju erdhët në pushtet se pritshmëritë ishin të mëdha. Por, në rastin e Prishtinës s’keni dëshmu se keni punuar për shkatërrim të korrupsionit me ato mbi 70 dosjet. Pse po i leni në Prizren drejtorët e korruptuar? Unë i kam heq vetë para zgjedhjeve”, deklaroi Veseli.

“Nuk ka rezolutë prej neve sepse nuk i krijuat kushtet, vazhdoni me këtë formë që e keni sjellë. S’është e mirë. A mendoni që ne zmbrapsemi, është çështje e juaja. Do t’ju ndihmojmë kur e keni mirë, por në këtë formë s’po na lejoni t’ju ndihmojmë. Orientimi euro-atlantik qenka i përbashkët, ushtarët amerikanë urojmë që s’do të largohen, ne e vazhdojmë luftën politike pozitë-opozitë”, tha Veseli.

Pas fjalimit të tij, kur kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani propozoi që të shkohet me votim të rezolutës, deputetët e opozitës u larguan nga salla.

Vetëvendosje dhe LDK propozojnë draftrezolutë për dialogun me Serbinë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë propozuar një draftrezulotë për dialogun me Serbinë.

Më poshtë gjeni draftrezolutën e VV-se dhe LDK-së:

  1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.
  3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

Të ngjashme