Perolli: VV doli pro Gjykatës Speciale vetëm për të eliminuar figurat kyçe politike

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Aktivistët e PSD-së e kanë ndërprerë sot konferencën për media të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Një nga aktivistët e PSD’së që ndërpreu konferencën, Lisjan Perolli, i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që e ka lënë të kaloj në heshtje raportimn e Trendafilovës.

Me këtë rast, ai ka thënë se Vetëvendosje ka bërë gabim në vitin 2017 kur i është kërkuar që të zhbëj Gjykatën Speciale, e nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas tij, Vetëvendosje ka dal pro kësaj gjykate vetëm sa për të eliminuar politikisht figurat kyçe politike të cilat kanë udhëhequr UÇK’në.

“Në vitin 2015 është fajtor pushteti i atëhershëm i cili e kaloi Gjykatën Speciale në pretekstin e ndikimit të jashtëm, aty ishte gabimi i parë. Gabimi i dytë është viti 2017 kur Vetëvendosjes i është kërkuar që të zhbëj Gjykatën Speciale dhe në ato momente Vetëvendosje bën zhvendosjen nga parimi kundër Gjykatës Speciale në një parim pro saj, vetëm sa për të eliminuar politikisht figurat kyçe politike që ishin figura që e kanë udhëhequr UÇK’në”, ka deklaruar ai.

Tutje Perolli ka thënë se pushteti i tanishëm e ka përmbrendësuar diskursin kundër UÇK’së.

“E kemi parë që pushteti i tanishëm e ka përmbrendësuar diskursin kundër UÇK’së. I kemi parë deklaratat e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Mendoj që nuk është i rastësishëm ardhja e Trendafilovës në Kosovë. Mendoj që gjykata qysh është krijuar kërkon rilegjitimin konstant nga institucionet e Kosovës dhe ky rilegjitimim nuk duhet të ndodhte nga pushteti”, ka theksuar ai.

Perolli ka shtuar se për PSD’në është e papranueshme që raportimi i Trendafilovës të kaloj me qetësi.

“Besoj që e kemi bërë të qartë që ne jemi kundër Gjykatës Speciale për shkak se ajo nuk mund ta sjell atë çfarë po kërkohet prej Kosovës që është drejtësia për viktimat në Kosovë. Është bërë e njëanshme teksa vetëm krimet e presopozuara të UÇK’së po i i gjykon për herë të katërt”, ka shtuar ai.

Të ngjashme