Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, në Kuvend

Prishtinë | 10 Kor 2018 | 11:32 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.

7 deputetë votuan për, 2 kundër, ndërsa 1 abstenoi, duke i hapur rrugën Projektligjit për në Kuvend.

Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, tha se sa i përket Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, barra e provës duhet të vendoset tek i dyshuari e jo tek prokurori.

“Ne si subjekt politik konsiderojmë që barra e provës duhet të vendoset tek i dyshuari dhe jo tek prokurori, ndoshta mund të ketë kombinim të kësaj mirëpo në asnjë formë të mbetet vetëm te prokurori”, tha Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, anëtari i komisionit nga radhët e PDK- së, Hajdar Beqa, tha se Projektligji për kompetencat e zgjeruara dhe ai për sinjalizuesit, janë ndër ligjet më të rëndësishme andaj edhe do të duhej të trajtoheshin me prioritet.

“Ne e dimë që sot janë dy Ligje, ndër ligjet më të rëndësishme të pakos së drejtësisë që në bazë të agjendës së qeverisë duhet kaluar në sesion e parë të kuvendit”.

“Për ligje kanë dhënë kontribut shumë ekspertë si dhe shoqëria civile, por edhe zyrat tjera. Ne nuk mundemi ta ndërrojmë se për barrën e provës është në kod penal. Ne e mbështesim Ligjin që e ka pru Qeveria. Konsideroj se sot duhet të votohet në parim pas miratimit. Në parim shqyrtimi i dytë duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar”, deklaroi Beqa.

Se do ta përkrahin Ligjin në  parim, e tha edhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi. Ai ftoi që të bëhen bashkë, në mënyrë që ta bëjnë Ligjin sa më të mirë.

“Nuk ka ekspert më të mirë, nëse në nuk iu tregojmë se çfarë po duam të bëjmë. Unë në këtë fazë e mbështes këtë Ligj, me shpresë që nëse nuk arrijmë konsensus që të gjithë së bashku të punojmë ta bëjmë ligjin më mirë” theksoi Sherifi.

Shkumbin Demalijaj nga AAK ka kërkuar kujdes në shqyrtimin e këtij Projektligji.

“Projektligji i propozuar nga lëvizja Vetëvendosje është jashtë çdo rendi. Duhet me qenë të kujdesshëm, t’ia japim një rrugë këtij Projektligji”.

Përkrahjen për këtë Projektligj në parim do ta japë edhe Frashër Krasniqi nga PSD-ja.

“Në parim do ta votoj pro por nuk duhet të bëhemi pre e iluzionit se ky ligj do të zgjidhë çështjet. Këtu jemi duke folë për konfiskimin e pasurisë të personave të dënuar për vepra penale por mos të harrojmë që pjesa më e madhe e pasurisë është mbuluar,  në mënyrë që mos me mujt me u konfisku, por  ka raste që nuk kanë arritë me e justifiku pasurinë”, pohoi Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme