Protesta e PSD-së e detyron Trendafilovan ta organizojë aktivitetin online

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, nuk do ta mbajë aktivitetin e paralajmëruar për të mërkurën në Gjilan në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim, ka njoftuar Specialja të martën.

Sipas njoftimit, aktiviteti s’do të organizohet me prezencë fizike për shkak të protestave të paralajmëruara. Specialja ka thënë se aktiviteti do të zhvillohet përmes internetit.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, sot u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit. Kryetare Trendafilova deklaroi se ‘mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme’. Ajo theksoi se ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit. Sipas Kryetares Trendafilova ‘një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv’. Prandaj, në interes të sigurisë publike, u mor vendimi që kjo veprimtari të zhvillohet përmes internetit”, thuhet në njoftim.

Protesta kundër vizitës së Trendafilovas pati paralajmëruar Partia Socialdemokrate.

Të ngjashme