Punëtorët e MKRS-së të vendosur të mos lejojnë zhvendosjen, paralajmërojnë “pengesa serioze”

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Labinot Berisha nga sindikata e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka thënë se zyrtarët e kësaj ministrie janë të vendosur të mos lejojnë zhvendosjen në një objekt privat, për t’i lënë vend që në objektin aktual të MKRS-së të vendoset Presidenca. Ai ka thënë se institucionet do të hasin në “pengesa serioze” nëse vazhdojnë me vendimin njëanshëm.

Berisha ka thënë në “Express Intervistën” në KTV se do të organizojnë për ditë protesta kah 15 minuta, dhe se fillimisht kërkojnë vetëm pezullimin për zhvendosje në një objekt tjetër.

“Ne kemi dëgjuar para dy vjetësh për këtë vendim, për kalim në një objekt privat, por duke marrë parasysh neglizhencën e vendimit, dhe se s’kemi pasur dokument, kemi menduar se është diçka që përflitet e jo konkrete. Por ajo që ka nxitur stafin të marrë veprime konkrete ishte ajo që pamë dje dhe sot, zhvendosjen e orendive të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, pasi që jemi në një objekt. Kemi kuptuar se është vendim që duhet të kryhet”, ka thënë ai fillimisht.

Berisha ka thënë se kanë informata që objekti i ri nuk i plotëson kushtet dhe se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë zyrtarët. Ai ka thënë se është e pakuptimtë lirimi i hapësirës aktuale të MKRS-së për 40 zyrtarë të Presidencës.

Sipas tij, arsyeja kryesore e protestës është shifra marramendëse që shteti duhet të paguajë për qira në objektin e ri. Ka thënë se shteti duhet të paguajë 42 mijë euro qira në muaj e që sipas tij do të kishte dëmtim të vetë MKRS-së pasi pagesa do të bëhej nga buxheti për mallra dhe shërbime. Ka thënë se bartja në objektin e ri do të ishte hendikep edhe për zhvillim të politikave sektiroale. 

“Si zyrtarë në MKRS nuk jemi të informuar për një vendim të tillë, s’kemi as dokumente në duar të kuptojmë si dhe ku do të zhvendosemi. Gjithçka që kemi mundur të sigurojmë janë vetëm prej burimeve dhe informacioneve nga kolegët në mënyrë joformale. Duhet të njoftohemi zyrtarisht e të analizohet situata më ndryshe. Ky vendim që është marrë për bartje nuk ka ndjekur as procedurat e prokurimit publik. Ndër arsyet pse kemi ngritur zërin është që ne si zyrtarë s’jemi të interesuar që taksat tona të shkojnë në qira. Ne s’jemi kundër zhvendosjes, sepse shteti është që mendon për të mirën e përgjithshme për objekte publike ku s’paguajmë qira. Nuk jemi të interesuar të dëmtohet buxheti i shtetit. Duhen institucionet të rishikojnë vendimin sepse s’jemi të interesuar këtë situatë ta bëjmë të ndjeshme e s’jemi të interesuar që subjektet politike ta shfrytëzojnë për konsum të tyre politik, por një vendim të tillë ta ndalin ose pezullojnë deri të merremi vesh për të ardhmen. Ky vendim duhet të pezullohet, të paktën, deri të merremi vesh për formën nëse është kaq vitale për presidencën.”, ka thënë ai.

Tutje Berisha ka thënë se nuk pret që të gjejnë dyert e mbyllura “pasi një kompjuter dhe gjërat tjera konsiderohen të paprekshme për një zyrtar shtetëror”.

Nëse institucionet vendosin të vazhdojnë tutje me procesin e zhvendosjes, Berisha ka thënë se do të hasin në “pengesa serioze”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme