Qëndrimi i gjatë në SHBA dhe takimet me biznese, Kurti: Do të shtohen investimet

Prishtinë | 29 Maj 2022 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Për qëndrimin e gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u kritikua shumë. Sot ai doli para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ndër tjerash, foli edhe për këtë vizitë.

Para bashkëpartiakëve që i besojmë shumë, Kurti tha se ka pasur takime përmbajtësore e të frytshme në SHBA, ndërsa paralajmëroi investime në Kosovë, raporton Gazeta Express.

“Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, tha kryeministri.

Kryetari i LVV-së bëri një përmbledhje të aktiviteteve të tij në Amerikë, dhe përsëriti se Jake Sullivan, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, e takoi në Shtëpinë e Bardhë.

“Të dashur aktivistë, para dy ditëve jam kthyer nga qëndrimi dyjavor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe treditor në Davos të Zvicrës në Forumin Botëror Ekonomik. Në SHBA kam takuar 7 senatorë (4 demokratë dhe 3 republikanë) dhe 12 kongresistë (9 demokratë dhe 3 republikanë) si dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane, ku duhen theksuar Jake Sullivan në Shtëpinë e Bardhë, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Biden, Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së, Samantha Power, udhëheqëse e USAID-it, pastaj dy guvernatorë të shteteve, e të tjerë”, tha ai.

Kurti dha edhe shifrat e prezantimeve të mbajtura në universitete.

“Kam vizituar e mbajtur prezantime në 7 universitete. Kam takuar dhjetëra biznese dhe kam mbajtur 12 tubime me bashkëatdhetarët tanë shqiptaro-amerikanë. Që të gjitha këto takime e tubime ishin përmbajtësore, miqësore dhe të frytshme. Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, tha ai.

Të ngjashme