Qeveria e Kosovës mbyll shkollat deri më 27 mars dhe merr vendime të tjera për shkak të Coronavirusit

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 20:16 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria ka njoftuar se që nga dita e enjte, deri më 27 mars, të gjitha shkollat në vendin tonë do të mbyllen për shkak të coronavirusit.

Kjo vendim dhe masa të tjera janë marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë, mbajtur sot në mbrëmje, për të parandaluar përhapjen e virusit që ka marrë mijëra jetë njerëzish deri më tash, në Kinë, Itali, por edhe në disa shtete të rajonit.

Vendimi erdhi pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) shpalli gjendje të pandemisë. Ndërkohë në Kosovë nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar.

Masat që ka ndërmarrë qeveria kundër Coronavirusit:

1.      Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2.      Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3.      Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4.      Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5.      Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6.      Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7.      Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8.      Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9.      Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10.  Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11.  Personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas shpalljes së gjendjes së pandemisë, Qeveria mban mbledhje të jashtëzakonshme, mbyllen shkollat

Në këtë mbledhje, e cila ka nisur në ora 20:00, po diskutohen masat që do të ndërmerren për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit.

Mes masave të propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është dhe mbyllja e shkollave deri më 27 mars.

Duke hapur mbledhjen e jashtëzakonshme, kryeministri Albin Kurti tha se kjo mbledhje është thirrur për të diskutuar për masat parandaluese për Coronavirusin.

Kurse ministri Arben Vitia tha se që nga formimi i Komitetit për mbrojtje kundër Coronavirusit janë mbajtur mbledhje të përditshme.

“Sot kemi mbajtur dy të tilla. Kemi konstatuar që përkeqësimi i situatës në Italinë e Veriut, në disa vende të Gjermanisë dhe raportimet në rajon, ka ngritur shqetësimin se edhe vendi ynë mund të preket. Në nivelin global numri i rasteve është rritur. Në Kosovë, në momentin që po flasim, nuk kemi raste të konfirmuara”, tha Vitia.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.

Sipas, Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri me tani Kosova ende nuk ka të infektuar me coronavirus.

IKSHP apelon të kihet kujdes duke i respektuar rregullat e përcaktuara nga instituti.

LEXO EDHE:

Të ngjashme