Qeveria letër zyrtarëve të BE-së: Hapi i Thaçit antikushtetues dhe shkel qëndrimet e Vjosa Osmanit

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur një letër për anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ku kanë njoftuar për gjendjen në Kosovë lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe dekretin e Presidentit Thaçi për të mandatuar qeverinë e re të udhëhequr nga LDK’ja. Gazeta Express ka siguruar këtë letër, ndërsa nga qeveria në detyrë e kanë pranuar se letra ekziston duke mos dashur ta komentojnë vërtetësinë e saj.

Në këtë letër përmendet edhe emri i Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, që sipas qeverisë lëvizjet antikushtetuese të Presidentit janë në kundërshtim edhe me qëndrimet e kryetares së Kuvendit.

“Kjo është një lëvizje antikushtetuese, e cila është gjithashtu në kundërshtim me qëndrimet e kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”,

Në këtë letër dërguar Komitetit të Punëve të Jashtme të PE’së qeveria e Albin Kurtit është ankuar se pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më 25 mars 2020, Presidenti Thaçi nuk ka vepruar sipas detyrës kushtetutese të tij, që i’a përcakton neni 82.2 i Kushtetutës së Kosovës për të shpërndarë Kuvendin dhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Presidenti Thaçi  ka marrë rol aktiv me iniciativë të tij të tentim për të formuar qeveri të re edhe pse një rol i tillë është shprehimisht i ndalohet nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Tutje në letër thuhet se veprimi i Presidentit Thaçi duke shfrytëzuar pandeminë me Covid-19 i përkrahur edhe nga disa parti politike ndërmorrën disa veprime që tentuan të improvizojnë një skemë jokushtetuese.

“Me arsyetimin se nuk ekzistojnë kushtet që e lejojnë organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve, presidenti, i përkrahur nga disa parti politike, e mori një varg veprimesh me të cilat ata janë përpjekur të improvizojnë një skemë antikushtetuese”, thuhet tutje.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu nuk e ka mohuar ekzistimin e kësaj letre të qeverisë drejtuar Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, por nuk ka dashur të komentojë mbi vërtetësinë e saj. 

Të ngjashme