Qumështarët dhe Shpezëtarët thonë se rezervat ushqimore për kafshë mund të përfundojnë shumë shpejtë

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatës së Shpezëtarisë i janë ankuar ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, rreth lëndës së parë për ushqim të kafshëve.

Në një takim që kanë zhvilluar këto shoqata me ministrin Mustafa, është diskutuar për gjendjen e krijuar në këta dy sektorë, si rezultat i rrethanave të krijuara nga COVID-19.

“Përfaqësuesit e këtyre shoqatave njoftuan Ministrin Mustafa se rezervat e lëndës së parë për ushqim të kafshëve dhe shpezëve mund të përfundojnë shumë shpejtë nëse nuk sigurohet furnizim i plotë i këtij ushqimi brenda një afati sa më të shkurtër”, citohet t’i kenë thënë ministrit, përfaqësuesit e këtyre shoqatave.

Ndërkaq, thuhet se Mustafa ka ndarë shqetësimin me përfaqësuesit e blegtorisë dhe shpezëtarisë duke u zotuar që të angazhohet për koordinim brenda institucioneve të vendit për të gjetur zgjidhje.

Njëkohësisht, ai i ka njoftuar ata edhe me vendimin e marrë për shtyrjen e përkohshme të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019, që për qëllim ka mbrojtjen e të drejtave të fermerëve kosovarë, si rezultat i rrethanave të krijuara nga COVID-19.

Të ngjashme