Rama: Ndihemi krenarë për punën e FSK-së në Shqipëri

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenarë me punën që ushtarët e FSK-së kanë bërë në Shqipëri pas tërmetit.

Ai ka thënë se pjesëtarët e kësaj force në operacionin e kërkim-shpëtimit kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në punë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rama ka treguar se për punën e tyre ka marrë lëvdata nga të gjithë. “Unë ndihem krenar për këtë, dhe të gjithë duhet të ndihemi krenarë për punën e FSK-së gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit tragjik në Shqipëri. Për punën e tyre ne kemi marrë lëvdata edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sigurisht se këto vlerësime më kanë bërë të ndihem i privilegjuar që jam komandant i atyre djemve dhe vajzave për punën që kanë bërë”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se paraqitja e pjesëtarëve të FSK-së në terren ka qenë e jashtëzakonshme që nga dita e parë.

“Ata gjatë punës kanë treguar disiplinë, angazhim, motivim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Vlerësimet pozitive për punën e tyre i kemi që nga autoritetet më të larta shqiptare, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë. Po ashtu, vlerësime të larta kemi marrë edhe prej qytetarëve shqiptarë, sepse pjesëtarët tanë detyrat i kanë kryer me përkushtim të madh dhe me profesionalizëm të lartë”, ka thënë Rama.

Komandanti i FSK-së u është shprehur mirënjohës parterëve që kanë ndihmuar për ngritjen profesionale të kësaj force.

“Ky nivel i lartë i forcës sonë është meritë edhe e partnerëve tanë, sidomos e partnerëve tanë strategjikë, që bashkërisht i kemi ndërtuar këto kapacitete. Pra, ne i kemi marrë prej tyre njohuritë bazë dhe më pas jemi zhvilluar edhe prej trajnimeve që kemi bërë. Në të njëjtën kohë na kanë aftësuar edhe pajisjet që kemi marrë”, është shprehur ai, duke bërë me dije se deri më tani pjesëtarët e kësaj force kanë nxjerrë nga gërmadhat katër persona. “Sa kam informacione, deri më tani janë katër persona që pjesëtarët e FSK-së i kanë nxjerrë nga rrënojat. Dy janë nxjerrë të gjallë, kurse një tjetër është nxjerrë i gjallë por, gjatë rrugës për në spital, ka ndërruar jetë. Ende nuk i dimë statistikat përfundimtare. Kur ta kemi raportin edhe nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe nga përgjegjësit tanë, do të mund të flasim me të dhëna të sakta”, është shprehur Rama.

Të ngjashme